Të tregojmë se jemi pro Ukrainës duke dalë nga Ballkani i Hapur

Nga Erisa Xhixho

Ukraina dhe lufta e saj për të mbrojtur lirinë, rezistenca heroike e një populli që gjendet i kërcënuar prej fqinjit të vet, me të cilin ka ndarë fatin dhe historinë për disa shekuj, është shpërfaqur sot para gjithë botës si shembulli më tragjik i asaj se çfarë mund të ndodhë kur epshet e pushtetit të një sunduesi nuk njohin asnjë parim të së drejtës e nuk përfillin asnjë standard demokratik.

Por po kaq, e gjithë ajo që po ndodh në Ukrainë është edhe dëshmi se në çfarë pasojash mund të çojë mefshtësia dhe mosveprimi në kohë i vetë Bashkimit Europian, burokracia e të cilit e ka shndërruar edhe vetë procesin e zgjerimit në një labirinth kriteresh, që kanë nxjerrë në pah mungesën e vizionit dhe kohezionit brenda Unionit.

Personalisht, e kam dënuar me forcë sulmin e Rusisë dhe jam solidarizuar me popullin e Ukrainës, i cili i dha një mësim të madh mbarë Europës për kurajën, atdhedashurinë dhe ruajtjen e parimeve të demokracisë.

Kjo është një luftë që vë përballë dy botë dhe në raport me të çdo shtet do të duhet mbajë një qëndrim të qartë:

Je krah Ukrainës dhe e dënon me forcë këtë luftë ndaj lirisë dhe demokracisë, merr vendime të forta me sanksione ndaj Rusisë e në aleancë me BE-në dhe NATO-n në mbrojtje të vlerave europiane apo do të pozicionohesh krah një diktatori si Putini, shkelës i të drejtave të njeriut, me urrejtje e në luftë ndaj lirisë, demokracisë dhe sovranitetit të një shteti.

Në këto kohë të vështira për njerëzimin e sidomos për rajonin tonë, përballë këtij agresioni me potencial shumë të lartë për t’u shndërruar në një konflikt të gjerë europian e mbarëbotëror, qëndrimi i një shteti si Serbia, vend kandidat për në Bashkimin Europian, i cili nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë siç bënë të gjitha vendet anëtare dhe ato që aspirojnë BE-në, nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Në Beograd u mbajt para disa ditësh manifestimi i vetëm në përkrahje të agresionit rus, në një kohë kur ky i fundit u dënua në të gjitha kryeqytetet europiane, që nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca. Madje edhe vetë rusët protestuan kundër kësaj lufte.

Nuk mund të mos e dënosh qëndrimin e Serbisë.

Dhe në këto momente kaq dramatike, Shqipëria duhet të pozicionohet qartë në qëndrimin e saj. Nuk mund të jemi kurrsesi të dyzuar në këtë!

Nuk mundet vendi ynë të jetë më pjesë e një projekti fantazmë si Ballkani i Hapur, ku Serbia ka lidershipin. Nuk mund të jemi pjesë e një projekti që forcon pozitat e Aleksander Vuçiçit. Nuk mund të përkrahim nismën e një vendi që nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur, madje ka një projekt konkret për anulimin e njohjeve nga shtete të tjera që e kanë hedhur këtë hap. Ballkani i Hapur mbetet një projekt aspak transparent për përfitimet që mund të ketë Shqipëria prej tij, një projekt që shihet si dorëzim pa kushte i vendit tonë te Serbia. Kjo e bën të detyrueshme sot më shumë se kurrë largimin e vendit tonë prej tij.

Serbia është vetë Rusia në Ballkan. Kështu ka qenë historikisht dhe kjo lidhje mes tyre u pa qartë dhe u konfirmua me qëndrimin që Beogradi mbajti ndaj luftës. Ndaj, Ballkani i Hapur, ky projekt që për mua ka rënë që në momentin kur Kosova refuzoi të bëhet pjesë e tij, sot nuk ka me asnjë argument për të vazhduar dhe Shqipëria si një vend i orientuar qartë drejt BE-së, NATO-s, SHBA-ve, duhet të largohet prej tij.

Kjo nismë dëmton rëndë interesat ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht bujqësinë shqiptare.

Nisma ka qenë një shërbim i madh që qeveria shqiptare u bën projekteve të njohura famëkeqe serbe të Jugosllavisë së re, ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe mosnjohjes së pavarësisë së saj.

Ndaj, e vlerësoj tërësisht të papranueshëm në planin kushtetues, politik dhe moral, angazhimin e mëtejshëm të qeverisë shqiptare në këtë nismë.

Ballkani i hapur e vendos Shqipërinë në krah të Serbisë, e cila nga ana e saj ka dalë qartazi në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Kjo është e papranueshme për çdo shqiptar dhe e pasinqertë në raport me Ukrainën.

Në këtë situatë të vështirë nëpër të cilën kalon vendi sot, do të na duhet të marrim vendime të forta, ndaj kërkojmë me ngulm që Shqipëria të shkëputet një herë e mirë nga projekti Ballkani i Hapur, që dëmton interesat tona kombëtare.

Në këtë mënyrë do të demonstrojmë se kemi një qëndrim të vetëm kundër agresionit rus dhe mbështetjes që i jep atij Serbia.

Sot është e domosdoshme të tregojmë se jemi pro BE-së, pro NATO-s, pro SHBA-ve dhe krah Ukrainës. Shqipëria nuk mundet kurrsesi të mbajë dy qëndrime, por një të vetëm, kundër Rusisë dhe kundër zërit të Serbisë që i bashkohet asaj.

SHKARKO APP