Teatri/ Rama citon Pëllumb Kullën: Duhet një ndërtesë europiane

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mendimin e regjisorit, aktorit, diplomatit dhe profesorit të njohur Pëllumb Kulla. Rama shkruan mendimin e profesorit, ku thuhet ndër të tjera se duhet një ndërtesë e re për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

Rama thotë se Kulla nuk mundi të japë nga talenti i tij në komunizëm, për shkak se u përndoq politikisht, ndërsa shton se edhe profesori mendon se duhet një godinë e re europiane.

Postimi i Edi Ramës:

Regjisori, aktori, diplomati dhe profesori i mirënjohur Pëllumb Kulla (që më 1967 ra viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çoi për riedukim në gurore e miniera), me një jetë të tërë kontributesh në botën e skenës dhe spektaklit shqiptar për të cilat është vlerësuar me titullin Mjeshtër i Madh, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar?

PËLLUMB KULLA:

Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit. Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës. Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë!

SHKARKO APP