Tedi Blushi thirrje GJKKO: Gjykimi në kafaz i Ilir Metës është mjet torture, jo drejtësi
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka përsëritur thirrjen drejtuar Gjykatës së Posaçme për nxerrjen e Ilir Metës jashtë kabinës së qelqtë gjatë seancave gjyqësore, dhe transmetimin live të këtyre të fundit. Për të mbajtja e Metës në kafazin e xhamtë është “qartazi një vendimmarrje në shkelje shumë të rëndë të legjislacionit të brendshëm, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vet standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
“Argumentimi gjoja i Gjykatës se vendosja në kafaz është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bie ndesh me ligjin procedural penal. As ligji nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe as aktet nënligjore përkatëse, nuk parashikojnë përdorimin e kafazit si masë standarde në sallën e gjyqit.
Së treti, kjo praktikë bie në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ka konstatuar se mbajtja e të pandehurve në kafaz gjatë gjykimit përbën trajtim poshtërues dhe konsiderohet mjet torture, në shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, kjo praktikë cenon prezumimin e pafajësisë dhe pengon komunikimin efektiv me mbrojtjen, duke sjellë edhe shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane, që garanton të drejtën për proces të rregullt.
Garantimi i plotë i parimit të prezumimit të pafajsësisë përmes një procesi të rregullt ligjor dhe gjyqësor është detyrues për gjykatën dhe jo një privilegj. Kujtoj se këto të drejta u janë njohur dhe respektuar të gjithë ish-zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, përfshi dhe atyre të regjimit komunist, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, 35 vite më parë, kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës. Ndaj këto të drejta nuk mund t’I mohohen Z. Meta dhe askujt tjetër nga e ashtëquajtura drejtësi e re në vitin 2026”,- thotë Blushi.
KOHA JONË SONDAZH

