Teliti: Bujqësia në ditët më të vështira, fermerët janë të braktisur nga qeveria
Eksperti i Ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorian Teliti deklaron se bujqësia shqiptare po përjeton ditët e saj më të vështira, ku sipas tij, edhe fermerët janë braktisur nga qeveria. Sipas tij, fermerët shqiptarë nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga qeveria në këtë kohë pandemie.
“Ndonëse bujqësia përfaqëson 20% të ekonomisë shqiptare, ndonëse në këtë sektor operojnë mbi 350 mijë fermerë të vegjël e të mesëm, ndonëse në këtë sektor janë të punësuar dhe të vetëpunësuar mbi 460 mijë persona, shpërfillja e qeverisë e ka dëmtuar ndjeshëm këtë sektor mjaft të rëndësishëm. Fermerët po ballafaqohen me kosto tejet të larta dhe të papërballueshme të prodhimit, kosto të rritura mesatarisht me 30% për pjesën dërrmuese të produkteve. Duan të punojnë fermerët shqiptarë, por qeveria nuk i subvencionon. U bënë 7 vjet që ato pak subvencione që jepen nuk i shkojnë drejtpërsëdrejti fermerit, për të nuk ka asnjë qindarkë, paratë janë vetëm për xhepat e një grushti grumbulluesish të lidhur me deputetët e zonave. Duan të punojnë fermerët shqiptarë, por përballen me çmimin më të lartë të karburantit në rajon për mekanikën bujqësore, ngrohjen e serave të tyre, etj, çmim ky dy herë më i lartë se në Maqedoninë e Veriut. Duan të punojnë e të tregtojnë produktet e tyre fermerët shqiptarë, por shpeshherë i hedhin në kanal, pasi përballen me konkurrencën e produkteve të importuara dhe subvencionuara fuqimisht nga vendet e rajonit (vendet e origjinës). Duan të punojnë blegtorët vendas, por sot mezi arrijnë të tregtojnë gjysmën e sasisë së mishit krahasuar me vitin e kaluar, lidhur kjo edhe me mbylljen/reduktimin e aktivitetit të hoteleve dhe restoranteve. Duan të punojnë peshkatarët, por mungesa e mjeteve financiare dhe e tregut ka shkaktuar rënie prej 60% të xhiros së tyre. Shqiptarët e duan punën, por edhe një dorë u duhet dhënë. Për Partinë Demokratike sektori i bujqësisë do të jetë prioritet gjatë qeverisjes së saj. Subvencione të drejtpërdrejta 100 milionë euro/vit për fermerët vendas (20 herë më shumë se sa jepet sot), 50 milionë euro/vit investime në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, “nipti” i fermerit do të jetë karta e tij e identitetit, ulje te çmimit të karburantit pasi të heqim taksën “Rama” prej 24 lekë/litër, përmirësimi i zinxhirit të sigurisë ushqimore, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, do të jenë shtyllat kryesore të shndërrimit të këtij sektori nga mbijetesa e sotme drejt një sektori që po e mbulon kërkesën vendase, por edhe synon të eksportojë drejt vendeve të rajonit e më gjerë”, shprehet Teliti.