Temperaturat e ulëta, si të ruajmë shëndetin gjatë stinës së dimrit

Ditët e ftohta të dimrit shoqërohen me temperatura të ulëta, ku në zona të ndryshme të vendit shoqërohet edhe me reshje dëbore dhe ngrica.

Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë disa këshilla për të qëndruar sa më të sigurt dhe të shëndetshëm, duke iu shmangur sëmundjeve të stinës.

Shumë njerëz preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë dimrit, por qëndrimi brenda nuk është garanci për sigurinë. Cilat janë disa nga masat që duhet të merrni për të mbajtur shtëpinë të sigurt dhe të ngrohtë gjatë muajve të dimrit.

Përgatisni shtëpinë tuaj për kushtet e dimrit: Instaloni grilat, siguroni izolimin dhe vendosni dritare me dopio xham. Izoloni linjat e ujit që janë në muret e jashtme. Pastroni ulluqet dhe riparoni rrjedhjet e çatisë.

Kontrolloni sistemet e ngrohjes: Instaloni sistemin e ngrohjes nga profesionistë për t’u siguruar se është i pastër, punon si duhet dhe është i ventiluar në pjesën e jashtme. Kontrolloni dhe pastroni vendin e zjarrit dhe oxhaqet. Instaloni një sinjalizues tymi. Kontrolloni bateritë e tij çdo muaj dhe zëvendësoni ato dy herë në vit. Siguroni një burim të sigurt alternativ të ngrohjes dhe lëndë alternative të ngrohjes në dispozicion.

Përgatisni makinën tuaj për mot të ftohtë para se të mbërrijë dimri: Kontrolloni radiatorin dhe nivelin e antifrizës, kontrolloni gomat dhe nëse është e nevojshme, ndërrojini ato me goma dimërore, mbajeni serbatorin plot me karburant, përdorni solucion të veçantë për larjen e xhamave, përgatisni një kuti emergjence dhe mbajeni në makinën tuaj për çdo rast bllokimi. Kjo kuti duhet të ketë: telefon celular, karikues portativ dhe bateri shtesë, batanije, ushqim dhe ujë, busull dhe hartë, elektrik dore dhe bateri të veçantë si dhe çantë të ndihmës së shpejtë

Instituti i Shëndeti Publik i bën apel qytetarëve për t’u përgatitur paraprakisht për emergjencat: Përgatituni për emergjencat e lidhura me motin, duke përfshirë edhe ndërprerjet e energjisë.

Mbani ushqime rezervë, që nuk kanë nevojë për gatim ose ftohje, dhe ujë në enë të pastra. Mbani telefonin celular plotësisht të karikuar. Kur planifikoni të udhëtoni, informohuni për kushtet e motit. Mbani një çantë e cila duhet të përfshijë pajisje me bateri, të tilla si elektrik dore, llamba, bateri të veçanta. Mbani çantën e ndihmës së shpejtë dhe ilaçe shtesë. Mbroni familjen tuaj nga monoksidi i karbonit. Mbani grilat e zgarës, sobat me gaz dhe gjeneratorët larg nga shtëpia, bodrumi dhe garazhi. Nëse keni nevojë, kërkoni ndihmë në numrin.

Çfarë duhet të keni parasysh në ambientet jashtë?

Në dimër shumë njerëz kalojnë kohë jashtë duke punuar, duke udhëtuar, apo duke shijuar sporte dimërore. Aktivitetet në ambiente të hapura mund t’ju ekspozojnë ndaj rreziqeve të ndryshme, prandaj për të qenë të përgatitur, ISHP tregon mbi masat që duhet të ndërmerren.

“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistentë ndaj erës dhe shiut, kapelë, doreza, këpucë kundër ujit. Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë. Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme. Lëvizni ngadalë kur kryeni punë/detyra në ambiente të jashtme. Dilni të shoqëruar dhe merrni një kuti të ndihmës së shpejtë kur dilni apo kur merrni pjesë në aktivitete jashtë. Kontolloni familjarët dhe fqinjët të cilët janë veçanërisht të rrezikuar nga temperaturat e ulëta”, -thotë ISHP.

SHKARKO APP