Tentativa e parë e vrasjes, dëshmia: Fildesit i theu dhëmbin dhe e shtriu përtokë
Ngjarja e korrikut të 2015 ka qenë shumë e rëndë për gjyqtaren e vrarë nga ish bashkëshorti.
Ajo kishte shkuar me të birin për të pushuar në plazhin e Golemit dhe aty u është afruar Fadil Kasemi.
Ai e ka gjuajtur Fildesin me grusht dhe e ka rrëzuar në tokë e më pas janë përleshur. Fadili e ka kërcënuar, teksa ka tentuar disa herë të nxjerrë edhe një pistoletë nga çanta.
Atë ditë, Fildes Hafizit i janë shkaktuar shenja në fytyrë, ndërsa prej dhunës i është thyer dhëmbi, thuhet në raportin mjekoligjor.
Ndërsa, Kasemi pas arrestimit me akuzën e kërcënimit, është përpjekur t’i shpëtojë përgjegjësisë, duke pretenduar se nuk ishte i dehur.
“Nga verifikimi me gypin dikator alkooli, rezultoi se shtetasi Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkoolike dhe përmbajtja e alkoolit ishte 0,1% – 0,2 %. Ai ka pretenduar se ka konsumuar vetëm raki dhe verë në sasi që nuk justifikojnë atë shkallë përqendrimi të konstatuar”, thuhet në dokumentet e çështjes.
Më tej ka shtuar se arma dhe çanta nuk janë të tijat.
“Në lidhje me çantën, ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar, duke iu ulur në tavolinë, si dhe i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë”, thuhet më tej në dokumentet zyrtare të çështjes së hetuar në Prokurorinë e Kavajës dhe të gjykuar në gjykatën e këtij qyteti./Dritare.net

