Tentoi të grabiste 8 mijë euro, Gjykata vendos Bardhyl Fushën në burg
Gjykata e Tiranës ka konfirmuar vendimin për të mbajtur Bardhyl Fushën në arrest me burg, pas tentativës së tij për të grabitur një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet tre ditë më parë, duke përdorur një kallashnikov.
Avokati i tij kërkoi që të merret parasysh gjendja psikologjike dhe mendore e klientit gjatë shqyrtimit të çështjes.
Bardhyl Fusha, me origjinë nga Librazhd, ishte sipërmarrës në fushën e ndërtimit dhe jetonte në Tiranë, por vitet e fundit përballonte vështirësi financiare të mëdha. Për tentativën e grabitjes ai nuk kishte bërë shumë përgatitje: hyri në bankë pa maskë dhe në ambient të mbikëqyrur nga kamerat e sigurisë.
Ai mbante një çantë sportive me një kallashnikov dhe dy karikatorë me fishekë. Fusha u fut si një klient i zakonshëm, deri sa arriti tek arka, ku nën kërcënimin e armës kërkoi paratë. Ai arriti të marrë 8 mijë euro, por ndërhyrja e shpejtë e policisë bëri që plani i tij të dështonte.
Para grupit hetimor, në një gjendje të rënduar psikologjike, ai deklaroi se grabitjen e kreu për shkak të borxheve që kishte për të shlyer. Më tej, dyshohet se Fusha ka pasur procedime të tjera ligjore, pasi klientë të tij e kanë akuzuar për para të papaguara. Këto detyrime financiare duket se e shtynë të ndërmerrte aktin, i cili përfundoi me arrestimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

