Tentuan të kalonin kufirin me teste të falsifikuara Covid, procedohen penalisht dy shtetas
Dy shtetas janë proceduar penalisht pasi akuzohen se tentuan të kalonin kufirin me test të falsifikuar të Covid-19, për të udhëtuar drejt Gjermanisë dhe Athinës.
Sipas njoftimit të policisë, është dyshuar se shtetasi Gj. D., 45 vjeç, banues në Fushë-Mamurras, Laç, ka paraqitur një test të falsifikuar të Covid-19. Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur ky shtetas ishte i falsifikuar.
Gjithashtu, gjatë përpunimit të të dhënave të pasagjerëve që udhëtonin drejt Athinës është dyshuar se shtetasja P. M., 43 vjeçe, banuese ne fshatin Kostur, Has, ka paraqitur një test të falsifikuar të Covid-19. Pasi është komunikuar me klinikën përkatëse ka rezultuar se testi që kishte paraqitur kjo shtetase ishte i falsifikuar.
Të dy shtetasit e lartpërmendur janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i formularëve, i vulave ose i stampave”.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.