Teoritë e komplotit për Covid-19, përhapja e tyre në Shqipëri

Teori të reja janë ngritur kundër maskës, duke e quajtur atë një formë nënshtrimi dhe skllavëri moderne. Ndër personat që mbështesin pikëpamje të tilla është edhe avokati Zaçe Islami, një nga kundërshtarët e zëshëm të masave anticovid, si dhe promovues i teorive që sugjerojnë se Covid-19 është sajesë e shoqërive sekrete që synojnë kontrollin absolut të njerëzimit.

Sipas një studimi nga universiteti britanik King’s College, botuar në revistën shkencore “Psychological Medicine”, platformat sociale si Facebook apo YouTube, mund të përbëjnë rrezik ndaj shëndetit publik. Ky studim përmend specifikisht ”Teoritë e Komplotit” dhe thotë se 56% e njerëzve që besojnë se koronavirusi nuk ekziston, e marrin shumicën e informacionit nga Facebook.

Efekti i dezinformatave që vijnë nga rrjetet sociale, përkthehet në ndryshime konkrete në bindjet e popullatave. Një sondazh i realizuar në korrik të këtij viti në Kosovë, nga Agjencia Pyper dhe i komisionuar nga Telegrafi.com, gjeti se një e treta e të anketuarve besonin se virusi nuk ekzistonte në Kosovë.

Teoritë e komplotit priren të dalin nga ekranet e smartfonëve dhe të shfaqen në realitetin fizik. Në maj dhe qershor, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, u mbajtën dy protesta të ndryshme, kundër masave të qeverisë ndaj pandemisë, ku u përmendën edhe teoritë e zakonshme të komplotit. Protesta të ngjashme u organizuan nga skeptikët edhe në qytete europiane, ku krahas thirrjeve kundër masave anticovid, spikatën edhe thirrje të së djathtës ekstreme.

Teoritë e komplotit nuk paraqiten më thjesht si rrezik shëndetësor. Gjatë muajve të fundit janë shtuar edhe analizat dhe studimet mbi rrezikun më të madh që i kanoset shteteve nga kulte dhe platforma të organizuara ndërkombëtare, siç është QAnon.

SHKARKO APP