Tërmetet, Pollo: Në buxhetin e 2020-s, shkenca financohet 27 herë më pak se mesatarja evropiane

Nga Genc Pollo

Eurokodet dhe “etikodet”

Në këto ditë plot raste tragjike e dramë kolektive, pasi u ktheva nga Shijaku ku me aktivistët e degës së Partisë Demokratike qendruam pranë e asistuam sa mundëm të cënuarit nga Tërmeti i së Martës, hasa papritur në një lajm-analizë të transmetuar nga një TV privat, i cili pohonte se shkak për mosrespektimin e standarteve ndërtimore dhe si pasojë e dëmtimit e shembjes së ndërtesave nga ky tërmet e të tjerë ishte një reformë e kërkimit shkencor e vitit 2007 (Qeveria Berisha) që përfshinte Akademinë e Shkencave, Institutin e Sizmologjisë dhe universitetet publike.

Nuk është momenti për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me inkompetencë profesionale apo instrumentalizim politik; as të dallojmë nëse këtu grotesku tejkalon profanen.

Por mendoj se mund të jetë çasti për të kujtuar disa fakte:

1-Kategoria sizmike e Shqipërisë, Ballkanit, Europës e më gjerë si dhe e krahinave brenda secilit vend është e njohur dhe e përcaktuar jo vetëm nga institucionet sizmologjike të çdo vendi por kryesisht nga përcaktimet e institucioneve ndërkombëtarë e kontinentalë. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë kategorizim pas vitit 2007 apo edhe të paktën 100 vjet para tij.

2- Në përputhje me kategorinë sizmike autoritetet qendrore e vendore në shtet lipset të hartojnë planet zhvillimore-urbanistike si dhe standartet ndërtimore. Në Shqipërinë që sheh nga Europa kjo e fundit mund të ishte e zgjidhur nga “eurokodet e ndërtimit” normë e detyrueshme e BE-së, të cilat u hartuan e u prezantuan në vitet 2012-13 nga qeveria Berisha por nuk u miratuan në 2014, sipas planifikimit, nga qeveria Rama. Zbatimi korrekt i tyre në ndërtimet private e shtetërore është një çështje tjetër. Gjithashtu çeshtje tjetër janë ndërtimet e zhvillimet urbanistike në Shqipërinë e pasvitit 1991.

3- Instituti Sizmologjik u përfshi bashkë me të tjera njësi shkencore në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit e Mjedisit (IGJEUM); ky i fundit u transferua nga Akademia e Shkencave në Universitetin Politeknik me synimin që të përgatiste studentë. As personeli dhe as pajisjet nuk u cënuan. Unë isha asokohe, si ministër i Arsimit e Shkencës, propozuesi i VKM themeluese të tij. Personalitet e nderuara të Akadamisë ate herë kishin preferencë për një status quo. Sot IGJEUM është burimi i vetëm shqiptar i gjetjeve e matjeve të tëmeteve në Shqipëri, përfshi edhe Tërmetin e së Martës. Por në kushtet e internetit e apps-eve ne informohemi tashmë globalisht.

4- Do të doja të debatohej për buxhetimin e IGJEUM-it e shkencës në përgjithësi; në projekt-buxhetin 2020 shkenca financohet me 0,036% të PBB apo 27 herë më pak se mesatarja europiane.

Po kështu buxhetimi i arsimit lëngon tek 2,55% ndërkohë që u premtua rregullisht 5%. Por druaj se edhe për këtë debat nuk është momenti. GP

SHKARKO APP