Tërmeti në Turqi, Presidentja Vjosa Osmani shpall të mërkurën ditë zie kombëtare në Kosovë
Në solidarizim me mijëra jetë të humbura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë. Në një postim në facebook, Osmani bën me dije se në shenjë respekti qytetar, 8 shkurti do të jetë Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës.
“Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë.
Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja. Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona.
Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, të cilët lanë mijëra të vdekur e të lënduar”,-shkruan Osmani.