Tërmeti, pandemia dhe zgjedhjet shtyjnë me dy vite censin! INSTAT: Rezultatet në 2023
Tërmeti i nëntorit, pandemia Covid-19 si dhe zgjedhjet e vitit që vjen kanë shtyrë me dy vite kryerjen e censit për popullsinë dhe banesat. I parashikuar për tu realizuar në muajit tetor-nëntor të këtij viti, regjistrimi do të zhvillohet në të njëjtët muaj në vitin 2022, duke ndryshuar edhe rregulloren për realizimin e censeve çdo 10 vite.
“INSTAT ka propozuar realizimin e censit të popullsisë dhe banesave në tetor të vitit 2022, punimet për realizimin e tij kanë nisur që në vitin 2018, dhe është parashikuar që nxjerrja e rezultateve të ndodhë në 2023”, u shpreh drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli.
Edhe në këtë cens feja dhe etnia, do të jenë opsionale për individët. “Minoritetet nuk do të përcaktohen sipas kombësisë, por përcaktohen sipas vetë-identifikimit të tyre të lirë. Pra përgjigjet për etninë do të jenë të lira”, pohoi Dhuli. Ky është censi i 11 që zhvillohet në vend që nga viti 1923 dhe do të kushtojë 16.5 milionë euro, dhe është i rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik.
“Kostoja e censit do të jetë 16.5 milionë euro, 54% është përcaktuar të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë donatorët e tjerë janë: Donatori kryesor është Komisioni Evropian, është qeveria zvicerane dhe deri tani është ofruar edhe qeveria suedeze”, tha drejtoresha e INSTAT.
“Realizimi i censit është i rëndësishëm edhe për çështje që lidhen me karakteristikat e individit, për të cilat ne vazhdimisht duhet të marrim informacion për të bërë edhe planifikime si për mirë-ushqyerjen, për vaksinimin, për moshën e tretë apo për ndarjen e pensioneve”, tha kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi.