Tërmeti prek buxhetin, Denaj: Shkollat prioritet kryesor, mund të pezullohen disa projekte
Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit ka prekur buxhetin e këtij viti, por edhe buxheti për vitin 2020 do të rishikohen në mënyrë që të bëhet i mundur kalimi i fondeve të mundshme buxhetore drejt paketës për rindërtim. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se pas miratimit të pr/buxhetit për vitin 2020 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, një pjesë e caktuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të rregullohen nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër, Denaj tha se po shikohet mundësia e gjetjes së fondeve në buxhetin e këtij viti, ashtu si edhe në buxhetin e planifikuar të 2020.
”Jemi duke bërë punën përgatitore. Ministritë kanë nisur përgatitjen e listave të projekteve për të cilat mund të shtyhet zbatimi”. Ministria e Arsimit, tha më tej ministrja Denaj, raportoi në Komisionin e Sigurisë mbi numrin e shkollave që kanë pësuar dëme. ”Shkollat do të kenë prioritetin kryesor. Janë në diskutim edhe çështja e qirave, si një kosto e cila në praktikën e ministrisë së Financave ka mbështetur në rastet e shpronësimeve familje të caktuara me qira për një periudhë të caktuar. Jemi duke shikuar që me buxhetin e kursyer sa familje mund të akomodojmë”. Denaj tha se ky është një proces që kërkon durim për të marrë të gjithë informacionet. ”Ne do të prioritizojmë. Jemi duke bërë alokime në parim”.
Rishikimi i buxhetit të 2020, e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë mëngjesin e së hënës. ”Buxheti ka një barrë të jashtëzakonshme për të mbajtur të gjitha nevojat, sepse jeta normale do të kthehet dhe dielli do të dalë prapë dhe asgjë nga ato që bëhen nuk mund t’u privohet njerëzve. Idetë janë të mira dhe skema që po formësohet është fituese, buxhet-donatorë dhe kontributet e njerëzve që janë të papërfillshme në raport me të tërën, por janë të nevojshme”.
Kurse kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se programi i Rindërtimit është program i veçantë. ”Programi i Rindërtimit është program i veçantë, që do të prezantohet publikisht nga kryeministri. Detyra jonë për t’ju përgjigjur”. Si pasojë e dëmeve të mëdha që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, mund të mos jetë e mundur që të gjitha shpenzimet të përballohen nga buxheti i 2020, duke bërë kështu që të shtrihet edhe në buxhetin e 2021. Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti do të mbyllet brenda vitit 2020. Më datë 5 dhjetor pritet të miratohet në parim buxheti i vitit 2020.