Tërmeti/ Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e shtëpisë familjes Myftari në Sauk: “Do rindërtojmë gjithçka, një për një”
Familja prej katër anëtarësh e Naim Myftarit në Sauk mbeti në qiell të hapur nga tërmeti i 21 shtator 2019, e sot ata kanë banesën e re të rindërtuar nga e para. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u dorëzuan edhe çelësin e banesës së re, e cila ofron kushte shumë herë më të mira se ajo që ishte më parë. Kreu i qeverisë garantoi për rindërtimin e të gjithë shtëpive private të prekura nga tërmeti brenda vitit, ndërkohë që shumë shpejt siguroi edhe për dhënien e apartamenteve të reja.
“Të gjithëve kështu do i bëhen, një për një. Një për një të gjithëve dhe këta që janë në fshat, janë ata që janë më keq, sepse ata rrinë në çadër sot. Nuk e lënë dot tokën aty dhe janë në çadra. Atyre të parëve do t’u bëjmë shtëpi dhe ata do hyjnë të gjithë në shtëpi brenda vitit, ose do jenë duke parë shtëpinë duke mbaruar brenda vitit. Pastaj avash avash të tjerët, se këto të qytetit duan themele, duhen bërë projekte të mëdha se janë apartamente. Por atyre, si këtu, do t’i kenë shtëpitë siç as në ëndërr nuk i kanë parë”, deklaroi Rama.
Kryebashkaiku Veliaj vlerësoi fondin e siguruar në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë si një ndihmë tepër e madhe në projektin e rindërtimit. “Lajmi i mirë që na erdhi nga kryeministri, është që kjo e rindërtimit do jetë punë akoma më e madhe”, tha ai. Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj u shpreh se Bashkia po rehabiliton të gjithë zonën e Saukut, ndërsa theksoi se ata që kritikojnë, janë vetëm ata që nuk bënë asnjë punë gjatë kohës që ishin në krye të punëve.
“Jemi në një fazë që po rehabilitojmë edhe gjithë lagjen, pra deri ku ndaluat ju ka ardhur asfalti pastaj gjithë rrugët duhen shtruar me çakull se janë dhe një zonë kryesisht informale. Ka filluar tani urbanizimi i kësaj pjese. Kemi mbaruar me Saukun e Vjetër që është mbi rrugën e Elbasanit dhe jemi futur këtu. Në Kodër Kamzë hapëm një super kopsht/çerdhe dhe 150 familje që kthehen në punë, se më parë rrinin me kalamajtë. Ka qenë betejë që në kohën tënde, për të liruar Kodër-Kamzën nga zaptimi”, tha Veliaj.
“Ne do rindërtojmë gjithçka, atë parti s’e rindërtojmë dot. Pashë një ditë, ma çoi dikush një video nga zona e Medresesë që ishte në vitin ’99. Nuk e besoja dot, ajo ka qenë një zonë ku unë kam punuar shumë atje, nuk e besoja dot unë që e kam parë, e kam ndryshuar, nuk e besoja dot. E shihja duke thënë që si ka mundësi, ku kemi qenë ne. Edhe thonë: U betonizua, u prish, u ngushtua. Ajo ishte tmerr, ajo s’ka qenë fare, ka qenë pa lidhje, nuk ka qënë as qytet, as fshat, as katund, as lagje, ka qënë 1 pazar pa rend dhe pa lidhje kudo”, tha Rama.