Tërmeti tragjik, 100 familje paralajmërojnë grevë urie

100 familjet e strehuara në hotelet e Shëngjinit paralajmërojnë grevë urie për të kundërshtuar largimin e tyre pa u siguruar më parë se ku do të jetojnë.

Banesat e tyre në Thumanë janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, por pas datës 3 janar ata duhet të lënë hotelet për të gjetur shtëpi me qira.

Në takimin me përfaqësuesit e PD banorët shprehen se bonusi i ofruar nga bashkia e Krujës është i pamjaftueshëm për të paguar qiranë dhe për t’u ushqyer.

“Të gjithë këta burra, gra e fëmijë nuk do hyjnë në mensë për të ngrënë. Do jetë grevë urie.”

“Duam strehim, punë dhe shtëpi.”

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi u premtoi banorëve të Thumanës që, në emër të tyre do t’i drejtojë me anë të një letër qeverisë dhe bashkisë së Krujës për të zgjidhur çështjen e strehimit pasi të zhvendosen nga hotelet.

Gazmend Bardhi: “E para të vijnë t’ju takon dhe të thonë se çfarë do bëhet me ju. E dyta, anëtarët e këshillit  bashkiak nëse e ka miratuar me 30 mijë lekë t’iu japin shtëpitë e tyre, se me 30 mijë lekë nuk merret shtëpi me qira. E treta, t’ua gjejnë shtëpinë me qira.”

Në fund të fjalës së tij Gazmend Bardhi i bëri thirrje qeverisë që t’i japë zgjidhje urgjente banorëve të pastrehë.

Gazmend Bardhi: “Sot jemi në situatë emergjente, njerëzit kanë nevojë për ndihmë dhe jo për propagandë.”

PD i kërkon sërish Edi Ramës anulimin e kontratave të PPP, dhe me ato para tu vijë në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

SHKARKO APP