Tërmeti tragjik, spitalit të Laçit i vihet shiriti
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit nuk ka krsyer as spitalin e Laçit. Objekti ka pësuar dëmtime nga tërmeti dhe është shpallur i pabanueshëm. Në funksion është lënë vetëm urgjenca e këtij spitali. Pjesa më e madhe e personelit është tranferuar në spitalin e Lezhës.
“Kemi evakuuar shumicën e shërbimeve në spitalin e Lacit, në Lezhë. Po ngrihen dy tenda mjekësore, kemi marrë disa nga godinat që po i përdorim në afërsi të spitalit të Laçit. Sot kemi një ambulancë që është duke kryer kontrolle në të gjithë banorët që ndodhen në çadra. Godina është nxjerrë për tu evakuuar deri në një rikonstruksion të pjesshëm apo në ndërhyrje në muraturë apo pjesë të tjera, pra nuk është për tu shembur. Më e rëndësishme është të ketë siguri për pacientët”, shprehet Etjan Xhafaj, përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë.
Laçi është një nga qytetet më të goditura në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit. I ndërtuar rreth 50 vite më parë si një qytet i punëtorëve të uzinës së superfosfatit, Laçi përbëhet nga një numër i madh banesash kolektive 4 dhe 5 katëshe. Grupet e inspektimit, që po kontrollojnë gjendjen e pallateve, tashmë kanë përcaktuar si të pabanueshme 44 prej tyre, por inspektimi ende vazhdon duke rritur numrin e banesave që pritet të shemben për shkak të rrezikshmërisë së lartë për jetën e banorëve.
Pas shembjes së kontrolluar të pallateve të dëmtuara nga tërmeti, në Laç pritet të ndërtohet një lagje e re për banorët që humbën banesat. Ekspertët që po verifikojnë gjendjen pas tërmetit thonë se është e rëndësishme të ruhen parametrat teknikë përballë emergjencës për të strehuar banorët.