Terroristi që tentoi të kryejë masakrën në tren ka qenë dhe në Shqipëri

 

Marokeni Ayoub El-Khazzani që tentoi të kryente një masakër në trenin e shpejtësisë së lartë Amsterdam -Paris, ka qenë edhe në Shqipëri.

Prokurorët francezë thanë në një konferenë për shtyp se 25 vjeçari i lidhur me organizata ekstremiste më 4 qershor ishte në Tiranë.

Në bazë të hetimeve, El-Khazzani ka udhëtuar muajt e fundit në provincën Hatay në juglindje të Turqisë në kufi me Sirinë dhe më pas ai është kthyer në Stamboll dhe ka përdorur Shqipërinë për tu rikthyer në Europë.

Sipas hetuesve, ai ka përdorur këtë rrugë udhëtimi për të fshehur gjurmët pasi ka dyshime të forta se ai ka qendruar në Siri ku mund të ketë krijuar kontakte me militantët e shtetit islamik.

Prokurori i Parisit Francois Molins tha se El-Khazzani u arrestua me një arsenal të vërtetë armatimesh dhe se nuk ka dyshime që ishte përgatitur për një sulm terrorist edhe pse marokeni ka pretenduar se ishte në tren për të kryer një grabitje.

Shtatë muajt e fundit ai kishte jetuar mes Parisit, Brukselit, Këlnit dhe Vjenës dhe prokurorët francezë kanë kërkuar ndihmën e kolegëve europianë për të hetuar më thellë për lidhjet e tij me organizatat ekstremiste. 25 vjeçari ka patur lidhje të mëparshme me radikalët dhe probleme me drejtësinë spanjolle.

Marokeni hapi zjarr të premten në trenin Amsterdam Paris duke plagosur tre persona, por u ndalua në kohë nga dy marinsa amerikanë, të cilët u shpallën heronj në Francë. Pak momente përpara sulmit El-Khazzani po frymëzohej për veprimet e tij duke parë në telefon episode të dhunshme.

SHKARKO APP