Terrorizmi, alarm “portokalli” në Rinas

Tabela elektronike, që tregon se avioni i ngritur mëngjesin e së martës për në Bruksel u kthye në Tiranë nga udhëtimi i lënë përgjysmë, është shenja e dukshme e pasojave të sulmeve terroriste në Aeroportin e Zavendemit.

Ndërkohë, Policia në Aeroportin e Rinasit ka nisur kontrolle të rrepta dhe patrullime, jo vetëm me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por edhe me qen të stërvitur për zbulimin e lëndëve shpërthyese.

“Gatishmëria e nivelit të dytë tregon se shtohet numri i punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë në shërbim, shtohet numri i kontrolleve dhe masat e sigurisë. Janë pjesë e punës sonë policore”, tha Ermal Milori për Top Channel.

A do të kemi një gatishmëri më të përforcuar për të kaluar në gatishmërinë e nivelit të parë?

“Kjo varet gjithmonë nga informacionet apo nga situatat e ndryshme që do të na paraqiten”, shtoi më tej Ermal Milori, shef i Komisariatit të Rinasit.

Në një tjetër shenjë të zymtë të situatës pas sulmeve terroriste, agjencia që ofron fluturime të drejtpërdrejta për në Bruksel dhe në Paris ka ulur qepenat. Kontrollet tashmë nuk janë më të zakonshme në Rinas, ndërsa frika reflektohet edhe tek ata që presin të udhëtojnë.

“Frikë e madhe është me këto që po dëgjojmë. Megjithatë, nuk u vonuam gjatë kontrolleve”, thotë një udhëtar.

“Puna të bën të shohësh me bishtin e syrit, sepse kjo ngjarje nuk është e vogël. Është e tmerrshme të shohësh gjithë ata viktima të pafajshme, që humbin jetën për hiç gjë”, thotë një tjetër qytetar.

SHKARKO APP