Terrorizojnë fshatin e qëllojnë me armë natën, “Shqiponjat” arrestojnë dy vëllezërit në Kolonjë
Policia ka arrestuar dy vëllezër në fshatin Novoselë në Kolonjë pasi qëlluan në orët e vona të natës në ajër duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Dy autorët e dyshuar, kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë por me ndërhyrjen e menjëhershme të Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, neutralizohen dhe vihen në pranga.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë pas njoftimit të marrë se në fshatin Novoselë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për identifikiminn, kapjen dhe arrestimin e autorëve.
Pas veprimeve të shpejta profesionale, policia ka arritur të identifikojë dy autorët e dyshuar të cilët kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për të mos i shoqëruar në Komisariat.
Në këtë kuadër është organizuaur dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Novosela”, ku pas ndërhyrjes profesionale të Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, u bë kapja dhe prangosja e shtetasve:
S. Z., 36 vjeç dhe M. Z., 34 vjeç, (vëllezër), banues në Novoselë.
Gjithashtu këta shtetas, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, në momentin kur forcat do të ushtronin kontroll në banesën e tyre, ku konkretisht u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri tip pushkë, një pistoletë tip “Zastava” me 4 fishekë, si edhe 1572 copë fishekë, të cilat i posedonin pa leje.
Nga veprimet hetimore rezultoi se dy shtetasit e mësipërm, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër duke prishur qetësinë publike, ku si pasojë e të shtënave një predhë ka rënë në banesën e shtetasit Q. B., pa shkaktuar dëme.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.