TERTIUM NON DATUR-NUK KA ZGJEDHJE TЁ TRETЁ

TERTIUM NON DATUR-NUK KA ZGJEDHJE TЁ TRETЁ

“Mos na lejoni që të harrojmë se, shkaqet e veprimeve njerëzore janë me varietet dhe kompleksitet të pamatshëm, se sa mund ti shpjegojmë më vonë”

Fjodor Dostojevski – “Idioti”

Hyrje

Ndodh fatkeqësisht shpesh, të dëgjosh për të rinj e të reja që i japin fund jetës, të shtyrë nga mundimet e shumta që i shkaktohen nga familjarët, të afërmit, kolegë apo frekuentues të përbashkët të shkollave (nuk do mund të përdorja “shok” ose “shoqe” klase). Si mendim i pare, i shumicës prej nesh, është që ka dështuar ҫdo gjë, individi, familja, shoqëria dhe më së shumti institucionet shtetërore, që duhet të parandalonin ngjarjen.

Por përtej kësaj, del në pah një problem tjetër, që nevojitet të trajtohet.

Vështirësisë për të gjetur fajtorin apo fajtorët, i shtohet edhe “ndryshku” i Kodit Penal, që me sa duket jo vetëm nuk ecën me hapin e kohës, por po bëhet pengesë për vetë thelbin e të drejtës. Për të sqaruar më shumë, në lidhje me këtë problem, po analizoj nenin 99 të Kodit Penal:

  1. Neni 99 i Kodit Penal, para ndryshimit me nenin 19, të ligjit nr. 44/2013, datë 2.5.2013, ishte: “Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në vartësi materiale apo çfarëdolloj vartësie tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”.
  1. Pas ndryshimit, ashtu siҫ është edhe sot, neni 99 parshikon që: “Shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në varësi apo nga personi me të cilin ka marrëdhënie familjare ose bashkëjetese, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.

[Pjesa e theksuar (bold) është pjesa që ka ndryshuar]

Kjo do të thotë se kur shkaktohet vetëvrasja ose tentativa e vetëvrasjes, nga një person:

  1. a) që ka në varësi, apo
  2. b) ka marrëdhënie familjare apo bashkëjetese

si rrjedhojë e:

  1. trajtimit të keq sistematik ose
  2. nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin

do dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Problemi

Me formulimin që i është bërë nenit 99 të Kodit Penal, ka ngelur problematike marrja në përgjegjësi penale e personave që shkaktojnë vetëvrasjen apo tentativën e verëvrasjes, por që marrëdhëniet me personin që ka tentuar apo realizuar vetëvrasjen, të mos jenë marrëdhënie varësie apo familjare/bashkëjetese.

Si do procedohet, kur një bashkë-frekuentues i shkollës, ka shkaktuar vetëvrasjen apo tentativën e vetëvrasjes (www.ktvu.com/news/14-year-old-dies-suicide-after-santa-clara-schoolmates-bully-him-about-being-homeless-father), kur një koleg pune ka shkaktuar vetëvrasjen apo tentativën e vetëvrasjes (https://olympus.uniurb.it/index.php?option=com_content&view=article&id=15512:tribunale-di-ivrea-29-luglio-2010&catid=226&Itemid=138), kur prindërit e nxënësve shkaktojnë vetëvrasjen apo tentativën e vetëvrasjes të mësues-it/es (www.bbc.com/news/world-asia-66655572), e të tjera raste, ku nuk ka raport varësie dhe as marrëdhënie familjare ose bashkëjetese?

Dispozitat e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutës, Kodit Penal dhe vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese:

Në nenin 7, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kemi:

“1. Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale. 2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.”

Neni 29 i Kushtetutës, parashikon që: “1. Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare …”

Ndërsa në nenin 2, të Kodit Penal, kemi: “Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale …”

Vendimi nr. 23, datë 8.6.2011 i Gjykatës Kushtetuese: “Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe mosdënimin për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale. Qëllimi i këtij parimi është jo vetëm respektimi i ligjit për çdo rast dhe për çdo vepër penale, por edhe njohja e subjekteve me të gjitha ato veprime ose mosveprime, të cilat konsiderohen të dënueshme. Duke qenë se Kodi Penal, krahas Kushtetutës, është burimi kryesor i të drejtës penale dhe në zbatim të parimit të ligjshmërisë, parashikimi i veprave penale duhet të bëhet pikërisht në këtë Kod, si ligji bazë që parashikon krimet dhe kundërvajtjet penale ose në një ligj të barasvlefshëm me të nga fuqia juridike (shih vendimin nr. 3, datë 5.2.2010 të Gjykatës Kushtetuese).”

Vendim nr. 5, datë 7.2.2001 i Gjykatës Kushtetuese: “Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore, duke mos përjashtuar as gjykatat, fuqinë detyruese të arsyetimit të vendimit të saj. Arsyetimi që përdor Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka forcën e ligjit, gjë që buron nga autoriteti i këtij organi për të thënë fjalën e fundit në çështjet për të cilat të tjerët tashmë janë shprehur.”

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut:

Analiza e nenit 7 të Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, i detyrueshëm për tu zbatuar edhe nga Shqipëria si rezultat i nenit 46/1 të Konventës, gjendet i përmbledhur të vendimi Alimuҫaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 20134/05, datë 7.2.2012, paragrafët 148-151:

  1. Garancia e parashikuar në nenin 7 të Konventës, e cila është një element thelbësor i shtetit të së drejtës, zë një vend të spikatur në sistemin e mbrojtjes së Konventës, siç nënvizohet nga fakti se asnjë derogim prej tij nuk lejohet sipas nenit 15 të Konventës, në kohë lufte ose emergjence tjetër publike. Ai duhet të interpretohet dhe zbatohet, siç vijon nga objekti dhe qëllimi i tij, në mënyrë të tillë që të ofrojë garanci efektive kundër arbitraritetit në ndjekjen penale, dënimin dhe ndëshkim [arbitrary prosecution, conviction and punishment] (shih Scoppola kundër Italisë (nr. 2) [DHM], nr. 10249/03, § 92, ECHR 2009).

 

  1. Neni 7 nuk kufizohet vetëm në ndalimin e zbatimit prapaveprues të ligjit penal, në disfavor të një të akuzuari. Ai gjithashtu mishëron, në përgjithësi, parimin që vetëm ligji mund të përcaktojë një krim dhe të parashikojë një dënim (nullum crimen, nulla poena sine lege) dhe parimin që e drejta penale nuk duhet të interpretohet gjerësisht në dëm të një të akuzuari, për shembull me analogji (shih Jorgic kundër Gjermanisë, nr. 74613, IX, §70, IX, nr. 74613/101 [ekstrakte]).

 

  1. Kur flet për “ligj”, neni 7 aludon për të njëjtin koncept, sikurse Konventa referohet diku tjetër kur përdor atë term, një koncept që përfshin ligjin statutor si dhe praktikën gjyqësore, duke nënkuptuar kërkesa cilësore, duke përfshirë ato të aksesueshmërisë dhe parashikueshmërisë. Nga kjo rezulton se veprat penale dhe dënimet përkatëse duhet të përcaktohen qartë në ligj. Kjo kërkesë plotësohet kur individi mund të dijë nga formulimi i dispozitës përkatëse dhe, nëse është e nevojshme, me ndihmën e interpretimit të saj nga gjykatat ose me anë të këshillave të duhura ligjore, në një shkallë që është e arsyeshme në rrethana, çfarë veprimesh dhe mosveprimesh do ta bëjnë atë penalisht përgjegjës (shih Liivik kundër Estonisë, nr. 12157/2003, nr. 12157/90, nr. Achour kundër Francës [DHM], nr. 67335/01, § 42, GJEDNJ 2006 IV).

 

  1. Në disa shtete të Konventës, zhvillimi progresiv i ligjit penal nëpërmjet krijimit të ligjit gjyqësor [judicial law-making], është një pjesë e rrënjosur mirë dhe e nevojshme e traditës ligjore. Neni 7 i Konventës nuk mund të lexohet që nxjerr si jashtëligjshëm, qartësimin gradual të rregullave të përgjegjësisë penale nëpërmjet interpretimit gjyqësor nga rasti në rast, me kusht që zhvillimi rezultues të jetë në përputhje me thelbin e veprës penale dhe të mund të parashikohet në mënyrë të arsyeshme (Streletz, Kessler dhe Krenz kundër Gjermanisë [DHM], nr. 55/96,340 44801/98, GJEDNJ 2001-II;)

Analiza:

Hapësira interpretuese Konventore, pranon vendimin gjyqësor (në argumentim) si mjet të vetëm ligjor, që mund të shtrijë fushën e veprimit të një dispozite të caktuar, për sa kohë përmbushet kushti i parashikueshmërisë të arsyeshme.

Kjo lejon dhe pranon, që gjykatat të mund të shtrijnë fushën e veprimit të nenit 99 të Kodit Penal, për sa kohë paraqitet mjaftueshëm e parashikueshme, që do të dënohet kushdo që nëpërmjet sjelljes keqtrajtuese, shkakton vetëvrasje apo tentativën e vetëvrasjes (shiko mbi bullizimin, dëmtimet fizike, kërcënimet, e të tjera, te: Buturugă kundër Rumanisë, kërkesa nr. 56867/15; M.Ș.D. v. Romania, kërkesa nr. 28935/21; Virgiliu Tănase kundër Rumanisë , kërkesa nr. 41720/13; Y.F. v. Turkey, kërkesa nr. 24209/94).

Por pse përgjegjësia për të “rregulluar” dispozitat ligjore, duhet të transformojë gjykatat në “ligjvënës pozitiv” (shih vendimet nr. 29/2011, nr. 31/2011 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin nr. 323, datë 16.7.2023 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë)?

A nuk duhet që nëpërmjet vullnetit politik, të ndryshohet dispozita, duke e transformuar në “gjithëpërfshirëse”?

Krahasim

Nuk duhet të shikohet larg (Kosovë, Itali, e të tjera), për të kuptuar se neni 99 i Kodi Penal [Shqiptar], ka ngelur pas në kohë. Kjo dispozitë ishte “parashikuese” e mjaftueshme, në periudhën në të cilën ka hyrë në fuqi (Neni 355 i Kodit Penal: “Ky kod hyn në fuqi më 1 qershor 1995 …”).

Ndryshimet me ligjin nr. 44/2013, datë 2.5.2013, kanë shtuar marrëdhënien familjare apo të bashkëjetesës, përveҫse marrëdhënien e varësisë, për të cilën personi do mbahet përgjegjës në rast shkaktimi të vetëvrasjes apo tentativës së vetëvrasjes. Ky ndryshim diktohej nga koha në të cilin është miratuar ligji nr. 44/2013, por që fatkeqësisht, nuk është më e mjaftueshme.

Neni 183 i Kodit Penal të Kosovës, parashikon që: “1. Kushdo që shtytë ose ndihmon personin tjetër për të bërë vetëvrasje dhe vetëvrasja kryhet, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet. 2. Kushdo që kryen vepër penale nga paragrafi 1 i këtij neni, ndaj të miturit ose ndaj personit aftësia e të cilit për të kuptuar peshën e veprës së vet ose për t’i kontrolluar sjelljet e veta ka qenë esencialisht e zvogëluar, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

  1. Kushdo që kryen vepër penale nga paragrafi 1 i këtij neni, ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet ose ndaj personit i cili nuk ka qenë i aftë për të kuptuar peshën e veprës së tij ose për të kontrolluar sjelljet e tij dënohet në pajtim me nenin 178 të këtij Kodi. 4. Kushdo që mizorisht ose në mënyrë çnjerëzore trajton personin tjetër i cili ndodhet në pozitë varësie dhe me këtë e shtytë personin e tillë që të bëjë vetëvrasje, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Për qëllime të këtij paragrafi, shprehja “person në pozitë varësie” nënkupton personin i cili është nën mbikëqyrjen, gradën, kontrollin apo kujdesin e personit i cili ka vepruar në mënyrë mizore ose çnjerëzore. 5. Nëse si rezultat i veprës penale nga paragrafi 1 deri 4 i këtij neni, vetëm është tentuar vetëvrasja, dënimi mund të zbutet.”

Ndërsa në nenin 580 të Kodit Penal Italian, kemi: “Kushdo që detyron të tjerët të kryejnë vetëvrasje ose përforcon qëllimin e të tjerëve në vetëvrasjes, ose lehtëson ekzekutimin e saj në çfarëdo mënyre, do dënohet, nëse ndodh vetëvrasja, me burgim nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet. Nëse vetëvrasja nuk ndodh, dënohet me burg nga një në pesë vjet, me kusht që tentativa për vetëvrasje të rezultojë në lëndime të rënda ose shumë të rënda personale.

Dënimet rriten nëse personi nxitet, emocionohet ose ndihmohet është në një nga kushtet e treguara në numrat 1 dhe 2 të artikullit të mëparshëm. Megjithatë, nëse personi në fjalë është i mitur të moshës katërmbëdhjetë vjeç ose në çdo rast i paaftë për të dashur dhe kuptuar [d’intendere o di volere] zbatohen dispozitat përkatëse të vrasjes.”.

Ndryshimi tjetër:

Shkronja (j), neni 50, të Kodit Penal, vlerësoj se duhet të pasqyrojë si rrethanë rënduese, edhe gjëndjen financiare.

Kjo për të zbatuar sa parashikuar në nenin 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (… pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër), si dhe për të ballafaquar numrin në rritje të keqtrajtimeve, për shkak të diferencave në gjëndjen ekonomike (shiko edhe te: www.ohchr.org/en/instruments-listings; http://pmc.ncbi.nlm.nih.gov/articles/PMC2667858/; http://m.coe.int/hf24-action-impact-study-bullying-eng/1680948c6c).

Pas ndryshimit të mësipërm, shkronja (j), e nenit 50, të Kodit Penal, do ishte:

…j) kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore ose financiare, predispozicione gjenetike ose aftësinë e kufizuar.

Ndërthurja me dekriminalizimin e eutanazisë

Në fund të trajtimit, lind normalisht pyetja: Po dekriminalizimi i eutanazisë a nuk krijon përplasje me ndryshimet që propozohen në nenin 99 të Kodit Penal?

Po t’i rikthehem edhe një herë punimit mbi dekriminalizimin e eutanazisë (shiko në: https://kohajone.com/aktualitet/eutanazia-si-purgator-a-do-miratohet-ne-shqiperi-eutanazia-apo-vetvrasja-e-asistuar/), mendimi dhe propozimi im konkret, ka të bëjë me dekriminalizimin e eutanazinë aktive, që në një interprertim të kundërt (a contrario), në mungesë të dekriminalizimit, do kishim akuza për vrasje dhe jo shtyrje në vetëvrasje.

Ndërsa në këtë shkrim, propozoj që ҫdo lloj shtyrje në vetëvrasje, përfshirë edhe shkaktimin e vetëvrasjes për shkak të një sëmundje terminale, do duhet të dënohet (pa përjashtuar ndjekjen penale edhe për personat që zbatojnë eutanazisë aktive, në kundërshtim me parashikimet në ligj apo akt nënligjor).

Përfundime

Rezulton e domosdoshme të ndryshohet teksti i nenit 99 dhe shkronja (j), e nenit 50, të Kodit Penal, duke i’u përshtatur situatave të reja, me të cilat po përballet shoqëria. Kjo do sillte që dispozitat në fjalë (të ndryshuara), do respektonin parimin e ligjshmërisë, sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese (vendimet nr. 3, datë 5.2.2010 dhe nr. 23, datë 8. 6.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

Një tekst i përshtatur, do të ishte:

Neni 99

“Shkaktimi i vetëvrasjes”

  1. Shkaktimi i vetëvrasjes të një personi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Nëse vetëvrasja nuk ndodh, dënohet me burg nga dy deri në pesë vjet.
  2. Po kjo vepër, kur është kryer kundër të miturit, kundër personit me të cilin ka marrëdhënie familjare ose bashkëjetese, gruas shtatzën ose ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Nëse vetëvrasja nuk ndodh, dënohet me burg nga katër deri në dhjetë vjet.
  3. Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Neni 50

Rrethanat rënduese…

  1. j) kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore ose financiare, predispozicione gjenetike ose aftësinë e kufizuar.

               Punuar nga: Besmir Lesaj

SHKARKO APP