Testohen 3600 kandidatë për mësues, Shahini: Në punë falë meritokracisë
Testimit të informatizuar për punësimin e mësuesve, deri tani i janë nënshtruar rreth 3600 kandidatë. Ky testim, i cili është përgjithësisht i organizuar në 4 seanca provimi gjatë një dite, zhvillohet pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore sipas një kalendari i cili gjendet i publikuar në faqen e QSHA. Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini thotë se përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Sipas saj, garantohet transparenca.
”Vijon procesi i testimit të informatizuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, si fazë e dytë e punësimit nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”. Deri sot, rreth 3,600 kandidatë kanë zhvilluar testimin; Procesi do të jetë deri më datë 22 gusht. Testimi organizohet sipas profileve të ndryshme të punësimit”.
Nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” rreth 1,300-1,400 mësues priten të punësohen gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Ministrja thotë se përmes portalit, mësuesit emërohen në bazë meritokracie dhe sigurohet që pjesë e sistemit të jenë më të mirët.
Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-ës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë” ka shkelur ligjin. Ky mekanizëm është ngritur në funksion të emërimit të mësuesve në bazë meritokracie duke u siguruar që pjesë e sistemit të jenë më të mirët. Ai siguron: transparencë, efikasitet, vetëmenaxhim, portabilitet dhe cilësi të dhënash.
Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar rreth 6104 mësues, shifër e cila është në ndryshim të vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues.
Çdo vit janë rreth 600-700 pensionistë që lirojnë vendet e punës (me kontrata afatgjata). Ndërkohë janë edhe 600-700 të tjerë me kontrata të përkohshme që lirojnë vendet e punës (ato me leje lindjeje ose pushim mjekësor). Pra, janë rreth 1300-1400 mësues që pritet të punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.