“The Economist”: Kina po rishkruan rregullat globale të teknologjisë
Smartfoni është një dëshmi e fuqisë së standardizimit. I përbërë nga komponentë që blihen nga qindra furnizues, ai mund të gjejë një sinjal pothuajse kudo në botë dhe të lidhet me një gamë të gjerë pajisjesh ndihmëse, e gjitha kjo sepse kompani të shumta i janë nënshtruar një grupimi të përbashkët specifikimesh teknike.
Mënyra se si vendosen rregulla të tilla është një mister për shumicën e njerëzve. Organet globale si Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO) dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) mbledhin në mënyrë periodike kompanitë dhe ekspertët e teknologjisë për të përfunduar marrëveshjet. Për dekada ky proces është dominuar nga Amerika, Gjermania dhe Japonia, kompanitë e të cilave kanë përfituar shumë nga sistemi. IBM, një firmë kompjuterike amerikane që mban mbi 100,000 patenta, fitoi 366 milionë dollarë vitin e kaluar nga licencimi i pronësisë së saj intelektuale. Qualcomm, një firmë amerikane e gjysmëpërçuesve, teknologjia e së cilës është e përhapur kudo në pajisjet me valë (wireless), bën rreth një të katërtën e fitimit të saj bruto nga licencimet.
Qeveritë i kanë njohur prej kohësh vlerat në vendosjen e standardeve. Britania dhe Gjermania dikur u grindën mbi specifikimet për telegramin. Sot beteja mbi standardet është midis Kinës dhe Perëndimit. Në rrezik është e ardhmja e teknologjive, duke filluar nga komunikimi me valë (wireless) deri te llogaritja kuantike dhe inteligjenca artificiale (AI).
Në vitet e fundit, Kina është bërë më e sigurt në procesin e vendosjes së standardeve. Muajin e kaluar, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit miratoi tre standarde të reja teknike, që do të përfshihen në teknologjinë celulare të gjeneratës së gjashtë (6G).
Rregullat lidhen me mënyrën se si rrjetet integrojnë Inteligjencën Artificiale dhe prodhojnë eksperienca të jashtëzakonshme në fusha të tilla si realiteti virtual. Ato u zhvilluan nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS), e cila kontrollohet nga qeveria qendrore, dhe China Telecom, një firmë shtetërore.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë amerikane për të mbajtur pajisjet kineze jashtë rrjeteve celulare në sa më shumë vende të jetë e mundur, teknologjia me valë ka vazhduar të bëhet gjithmonë e më shumë kineze. Falë pjesërisht përvetësimit të standardeve të saj jashtë vendit, Huawei, një prodhues kinez i pajisjeve të telekomit, ka fituar më shumë para që nga viti 2021 duke licencuar teknologjinë e saj për kompanitë.
Roli në rritje i Kinës në vendosjen e standardeve shtrihet përtej rrjeteve celulare. Kompanitë kineze si Xiaomi, një prodhues i smartfonave, dhe BOE Technology, prodhuesi më i madh në botë i ekraneve LED, gjithashtu duket se po përfitojnë nga licencimet e lidhura me standardet teknike. Hikvision, një prodhues kinez i teknologjisë së mbikëqyrjes, i mbështetur nga qeveria e Kinës dhe në listën e zezë të Amerikës, është përfshirë gjithnjë e më shumë në vendosjen e standardeve. Kina madje ka luajtur një rol udhëheqës në formimin e standardeve të hershme globale për teknologjinë kuantike.
Ndryshe nga Perëndimi, i cili ka pasur tendencën t’i shtyjë kompanitë private dhe shoqatat e industrisë në procesin e përcaktimit të standardeve, qasja e Kinës udhëhiqet nga qeveria e saj. Në vitin 2018, Pekini përcaktoi një plan që vendi të jetë në krye të standardeve teknike, në fusha që variojnë nga telekomunikacioni te dronët dhe AI, deri në vitin 2035. Standardet kineze zhvillohen brenda instituteve të krijuara nën ministritë e qeverisë. Përpjekjet janë të koordinuara nga Administrata e Standardeve të Kinës (SAC), e cila organizon shumicën e ndërveprimeve të vendit me organet globale të standardeve.
Zyrtarët që merren me standardet në Perëndim e kanë zili një vëmendje kaq të madhe. Gjatë vizitës në Kinë, një individ kishte mbetur i habitur kur zbuloi se kishte dhjetëra mijëra njerëz të përqendruar në zhvillimin e standardeve në të gjithë vendin dhe se anëtarët e lartë të qeverisë në Kinë i njihnin mjaft mirë rregullat teknike. Qeveria kineze ka ofruar gjithashtu një mbështetje për të emëruar zyrtarët e saj në organet e standardeve ndërkombëtare. Ata kanë mbajtur poste të larta në një sërë organizatash të larta dhe kanë mbushur komitetet teknike ku merren vendimet. Shumë takime mbi standardet globale zhvillohen tani në Kinë.
Qeveria e Kinës ka kërkuar të ndryshojë edhe mënyrën se si vendosen standardet. Ajo gjithashtu ka firmosur më shumë se 100 marrëveshje dypalëshe standardesh, kryesisht me vendet jugore të globit. Gjatë një konference me liderët afrikanë muajin e kaluar, Kina nënshkroi marrëveshje të reja me Beninin dhe Nigerin.
“Marrëveshje të tilla i japin Kinës një mbështetje më të madhe për specifikimet e saj të preferuara teknike në organe të tilla si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit”, deklaron Alex He, i Qendrës për Inovacionin e Qeverisjes Ndërkombëtare, një institut kanadez. Edhe nëse kjo dështon, Kina ende mund të përfitojë nga miratimi i standardeve të saj në vendet me të cilat ka vendosur marrëveshje dypalëshe. Firmat perëndimore që refuzojnë të miratojnë standardet kineze mund ta gjejnë veten jashtë këtyre tregjeve.
Por, për qeverinë e Kinës, në rrezik mund të jenë më shumë se fitimet e kompanive. Standardet mund të kodojnë vlerat sociale thellë brenda një teknologjie. Shumë veçori të internetit të projektuar nga perëndimi, për shembull, janë prirur të promovojnë privatësinë individuale mbi kontrollin e centralizuar, duke acaruar kështu qeverinë autoritare të Kinës. Për këtë arsye, në vitet e fundit Kina ka bërë fushatë për të rishkruar standardet e internetit. Në vitet 2019 dhe 2022, Huawei propozoi protokolle alternative të internetit pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, që do të kishin mundësuar një nivel shumë më të madh të kontrollit të qeverisë.
Asnjëra nuk ishte e suksesshme, por ata morën mbështetje nga vendet anëtare si Irani, Rusia dhe Arabia Saudite. Në prill, Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë, një forum për bashkëpunimin midis Amerikës dhe Europës për çështjet ekonomike, lëshoi një deklaratë duke thënë se demokracitë duhet të mbeten pararoja e teknologjive në zhvillim, duke përfshirë vendosjen e standardeve që i mbështesin ato.
Ndikimi në rritje i Kinës në procesin e përcaktimit të standardeve globale nuk ka kaluar lehtë për politikëbërësit në Amerikë dhe Europë. “Ashtu si Kina, ata kanë filluar të ndërhyjnë më shumë në procesin e vendosjes së standardeve”, thotë Tim Rühlig i Institutit të Bashkimit Europian për Studimet e Sigurisë. Akti “CHIPS dhe Shkencë” i SHBA, i kthyer në ligj në vitin 2022, i dha Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë detyrën e zhvillimit të standardeve për Inteligjencën Artificiale dhe sigurinë kibernetike, dhe zgjeroi rolin e tij në bashkërendimin e angazhimit të Amerikës me organet ndërkombëtare të standardeve.
Përtej Atlantikut, disa politikëbërës duan që Instituti Europian i Standardeve të Telekomunikacionit (ETSI) të luajë një rol më të madh në kundërshtimin e ndikimit në rritje të Kinës pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe organe të tjera globale. Në këtë proces, Perëndimi ka braktisur angazhimin e tij për një qasje nga poshtë-lart, të bazuar në treg për vendosjen e standardeve teknike. “Ne jemi të detyruar të minojmë një sistem që ka qenë shumë efektiv dhe nga i cili kemi përfituar për një kohë të gjatë,” shtoi Rühlig. Në më shumë se një mënyrë, Kina po e bën Perëndimin të luajë sipas rregullave të saj.
Lidion Kulla / SCAN