”The New York Times” pushoi nga puna një gazetar për përdorimin e inteligjencës artificiale

Një skandal etik ka tronditur një nga institucionet më prestigjioze të gazetarisë botërore, The New York Times, e cila ka vendosur të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me gazetarin Alex Preston, pas zbulimit të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe përvetësimit të materialit të paatribuuar në një recension letrar.

Ngjarja lidhet me një shkrim të publikuar në janar 2026 në rubrikën e librave të The New York Times, ku Preston kishte recensuar romanin “Watching Over Her” të Jean-Baptiste Andrea. Pas publikimit, një lexues i vëmendshëm evidentoi ngjashmëri të dukshme mes këtij recensioni dhe një analize të mëparshme të autores Christobel Kent, të botuar në The Guardian.

Verifikimet e mëtejshme konfirmuan se pjesë të tëra – fjali dhe paragrafë – ishin marrë dhe ripërdorur pa citim, një shkelje e rëndë e etikës profesionale. Situata u rëndua edhe më tej nga fakti se vetë Preston pranoi se kishte përdorur inteligjencën artificiale gjatë procesit të shkrimit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kufijtë e lejueshëm të përdorimit të teknologjisë në gazetari.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një reagim të shkurtër për The Guardian, Preston u shpreh “thellësisht i turpëruar”, duke e cilësuar veprimin e tij si “një gabim serioz”. Megjithatë, për The New York Times, kjo nuk la vend për tolerancë: vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit ishte i menjëhershëm dhe kategorik.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe përdorimi i materialit të paatribuuar nga një burim tjetër përbëjnë një shkelje të qartë të standardeve tona editoriale”, thuhet në deklaratën zyrtare të gazetës, duke riafirmuar vijën e saj të fortë mbi integritetin dhe autorësinë.

Ky rast rikthen në qendër të debatit një çështje gjithnjë e më të mprehtë: raportin midis gazetarisë dhe inteligjencës artificiale. Në një epokë ku teknologjia mund të ndihmojë, por edhe të deformojë procesin krijues, kufiri midis asistencës dhe manipulimit bëhet gjithnjë e më i brishtë. Për mediat serioze si The New York Times, sfida nuk është vetëm të ndjekin inovacionin, por të mbrojnë me rigorozitet parimet themelore të profesionit—besueshmërinë, transparencën dhe autenticitetin.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?