Thirret nga Gjykata Speciale në Hagë, Ali Ahmeti: Në cilësinë e dëshmitarit
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. Këtë informacion e ka konfirmuar vetë Ahmeti, duke thënë është ftuar nga Specialja në rolin e dëshmitarit.
Gjykata Speciale intervistoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në lidhje me luftën e Kosovës me Serbinë. Nuk dihet nëse edhe ftesa e Ahmetit ka të bëj me intervistimin ose jo të Thaçit.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një postimi në facebook, thotë se ”Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”.
Postimi i plotë
Të nderuar qytetarë, sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.
Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.
Gjithëmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit.