Thirrja nga Kisha Katolike, Presidenti Meta: Duhet një politikë që lufton varfërinë dhe ndalon shpopullimin e vendit
Ipeshkvinjtë katolikë të Shqipërisë kanë bërë një mesazh për sfidën e varfërisë në vendin tonë, duke i’u drejtuar qeverisë, Parlamentit, institucioneve financiare dhe bashkive të vendit e njëkohësisht duke ofruar bashkëpunimin për t’i bërë ballë kësaj plage shoqërore.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili mbështet këtë thirrje thotë se duhet një politikë që lufton varfërinë dhe që po ashtu ndalon shpopullimin e vendit.
“Nevojitet një politikë e përgjegjshme ekonomike në interes të qytetarëve, që lufton varfërinë, garanton përfshirjen e plotë sociale, mbështetjen e të pamundurve dhe integrimin e tyre në shoqëri dhe që ndalon shpopullimin e vendit”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë
E mbështes plotësisht mesazhin ndërgjegjësues dhe aktual drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore në vend nga Ipeshkvijtë e Kishës Katolike Shqiptare.
Misionarëve të Zotit, që çdo ditë janë pranë të varfërve, të pamundurve dhe të mënjanuarve duke bërë çmos për t’ju garantuar mirëqenien dhe dinjitetin njerëzor, për t’ju dhënë zë kauzave të tyre, nxitur solidaritetin, administrimin dhe shpërndarjen e drejtë të të mirave të përbashkëta.
Nevojitet një politikë e përgjegjshme ekonomike në interes të qytetarëve, që lufton varfërinë, garanton përfshirjen e plotë sociale, mbështetjen e të pamundurve dhe integrimin e tyre në shoqëri dhe që ndalon shpopullimin e vendit!