Thirrja nga Sllovenia: Integroni Ballkanin në BE, ose do të ndërhyjnë fuqi të tjera

Procesi i zgjerimit do të jetë prioritet për Slloveninë, e cila më 1 korrik mori Presidencën e Bashkimit Europian. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha premtoi se do të punojë për të përshpejtuar procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se boshllëkun e krijuar nga Brukseli mund ta zënë fuqi të tjera.

“Nëse nuk jemi të aftë ta realizojmë këtë, nëse nuk bëjmë një hap përpara në Ballkanin Perëndimor, atëherë këto veprime do të ndërmerren nga dikush tjetër, nga dikush që ka interesa dhe vlera të ndryshme”,-tha kryeministri i Sllovenisë.

Po ashtu Jansha sqaroi se po planifikon të organizojë një samit në muajin tetor midis udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut bllokoi edhe hapjen e negociatave për Shqipërinë e tani pritet mbledhja e Këshillit në dhjetor për të parë nëse ky proces do të ecë para.

SHKARKO APP