Tirana, kryeqyteti botëror i paqes për tri ditë

Promovimi i dialogut, tolerancës fetare dhe paqes për t’iu kundërvënë dhunës. Kjo do të jetë kryefjala e takimit 8-të Ndërkombëtar për Paqen do të mbahet në Tiranë në datat 6, 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan. Takimi “Lutja e Paqes 2015″ do të mbledhë rreth 4 mijë të ftuar, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.

Të ftuar janë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur. Ky takim organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj.

Në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u mbajt sot mbledhja e radhës e Komitetit Ndërshtetëror për organizimin e këtij aktiviteti, i cili u drejtua nga ministri Blendi Klosi dhe ku merrnin pjesë përfaqësues të Sant’Egidios, të komuniteteve fetare, të Policisë së Shtetit, e përfaqësues të institucioneve të tjera. Gjatë takimit, u raportua nga institucionet përkatëse për plotësimin e detyrave konkrete në kuadër të organizimit të këtij eventi, si dhe u detajuan çështjet e axhendës dhe masat e tjera organizative.

Agjenda

Dita e parë: Ceremonia e Inaugurimit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve

Dita e dytë: Panele rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Propozime konkrete, për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Po ashtu, do të zhvillohen aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”.

Dita e tretë: Do të shpallet Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.

 

SHKARKO APP