“TiranaMarathon”/ Veliaj: Në 17 tetor të vrapojmë të gjithë për një qëllim, ajo e dielë do të jetë ditë pa makina

Nga Parku i Liqenit Artificial, të cilit sot iu shtuan edhe 6 rrënjë të reja bliri nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen eventit më të madh sportiv në kryeqytet, Maratonës së Tiranës, në datën 17 tetor. Veliaj tha se edicioni i pestë i Maratonës do të zhvillohet në një itinerar që përfshin pjesët më të bukura të qytetit, mes të cilave edhe Parku i Liqenit.

Data 17 tetor do të na gjejë të gjithëve duke vrapuar për kauza të ndryshme. Disa do të vrapojnë për refugjatët, disa për rritje fondesh për mjedisin, disa të tjerë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjithsecili do të vrapojë për kauzën e tij, por kauza jonë e përbashkët është Tirana, e cila vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe do të vizitohet nga shumë të rinj. Një nga kartolinat më të bukura do të jetë pikërisht Parku i Liqenit. Kjo është arsyeja pse e kemi bërë pjesë të itinerarit të Maratonës, e cila do të ndahet në një pjesë urbane dhe në një pjesë të rrjetit tonë të parqeve. Ju lutem të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre që do të vrapojnë, por edhe atyre që nuk do vrapojnë, të gjithë mund të na japin një dorë,” u shpreh Veliaj.

Veliaj njoftoi se e diela e maratonës do të jetë një ditë pa makina. “Atë ditë do të bëjmë paqe me natyrën, nuk do ta ndosim. Ajo e dielë do të jetë një ditë pa makina, ku disa do të na ndihmojnë thjesht duke mos penguar sportistët që do të vrapojnë, kurse disa të tjerë do të na ndihmojnë duke vrapuar, përfshirë edhe në këtë stoli të APR-së, që është parku i Liqenit të Tiranës,” tha ai.

Bashkia e Tiranës ka çelur ndërkohë zyrtarisht fushatën e mbjelljeve dhe të pyllëzimit dhe jo më kot ka zgjedhur ditën kur mbushen plot 6 vjet nga ngritja e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Sot që APR-ja ka mbushur 6 vjeç, shumica e njerëzve as nuk e mendojnë se ka patur një Tiranë që nuk e kishte një agjenci që merrej me parqet, që nuk bënte fushata për mbjellje pemësh, që nuk kishte kënde lojërash. Kur mendoj se sot jemi saktësisht në vendin që dikur ishte I zaptuar nga kioskat, kasollet, që ishte kthyer në një pikë riciklimi, ku digjej plastikë, mblidheshin hekurishte për skrap, kurse sot kur shikon njerëz, edhe në moshë, që vrapojnë, merren me sport, që kanë pasion gjënë e bukur, të pastrën, natyrën, liqenin, është një mrekulli e vërtetë. Është dëshmi e faktit se kur ne shqiptarët bashkëpunojmë, mund të bëjmë realisht një bahçe me lule. Nëse nuk bashkëpunojmë dhe pengojmë njëri-tjetrin, siç ishte këndi i lodrave i pari, pastaj i dyti dhe gjithë ato pengesa që kemi pasur vazhdimisht, ne rrimë në vend numëro,” deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP