Tiranë, Veliaj: Po ridimensionojmë hapësirat publike me kënde lojërash e terrene sportive

Arti bashkëkohor po zë vend gjithnjë e më shumë në jetën kulturore të Tiranës. E tillë vjen edhe vepra më e fundit e artistit Helidon Gjergji, i cili ka shndërruar në një sallë pasqyrash të përhershme një nga dhomat e bunkerit anti-atomik të periudhës së komunizmit, duke krijuar idenë e hapësirave të pafundme. Instalacioni titullohet me “Tango Down 2” dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi atë si një vepër tjetër që i jep jetë kryeqytetit.

“Është gjithmonë gëzim i madh kur një artist i madh si Helidon Gjergji, kthehet në qytet edhe sjell disa nga përvojat e tij më të mira, por edhe një vepër që provokon. Besoj se Bunk’Art 1 po prodhon Tiranën policentrike. Pra, është tjetër gjë të thuash që do bëjmë qendër edhe në Kinostudio, në Kombinat, në Laprakë, dhe është tjetër gjë kur shikon se si mbushen me jetë cepa të qytetit, ku një akupunkturë siç është Bunk’Arti ka sjellë jo vetëm artistë shumë të njohur, por sjell qytetarë që dinë të vlerësojnë diçka që i provokon, i bën të mendojnë”, tha Veliaj, në ceremoninë e hapjes.

Ai u shpreh se kjo është edhe një mundësi që prindërit të reflektojnë më shumë edhe mbi lojërat elektronike, që dita-ditës po rrëmbejnë më shumë fëmijët pas vetes. “Kemi ardhur edhe si prindër sepse vepra tregon se çfarë fëmijësh po rrisim. Në një vend ku më parë kishim mentalitetin se druri ka dalë nga xheneti, që kush të rreh të do, tani kjo ka shkuar në një nivel tjetër, ku lojërat elektronike janë jo te druri, por te vrasjet masive dhe kjo është pak shqetësuese”, tha ai.

Veliaj theksoi rëndësinë që vepra të tilla të përhapen edhe në zona të tjera, duke ridimensionuar hapësirat publike e duke krijuar alternativa të tjera si këndet sportive, bibliotekat etj.

“Është mirë të flasim se si mund t’i ridimensionojmë disa hapësira publike ose mikrohapësira në qytet. Në një lagje ka një bibliotekë, një kënd lodrash apo një fushë sportive, të treja këto konkurrojnë denjësisht me lojërat elektronike të dhunshme. Jam këtu edhe për t’u shqetësuar për këtë provokim që bën artisti ynë dhe për të menduar se si një qytet mund ta bëjmë pak më miqësor me fëmijët, ndoshta t’i japim një alternativë shumë herë më dinjitoze dhe më të shëndetshme, se sa lojërat elektronike dhe jeta sedentare”, deklaroi Veliaj.

Dëshira e artistit të arteve pamore Helidon Gjergji është të konfrontojë audiencën, që hyn edhe del në dhomën e veshur me pasqyra, me këta kufij realiteti. Tango Down e ka origjinën nga zhargoni ushtarak, ndërsa që prej vitit 2008 është adoptuar nga lojërat elektronike me tematikë lufte. Bunk’art 1, bunkeri anti-atomik i ndërtuar në Tiranë në vitet Luftës së Ftohtë është një mjedis i përsosur për të reflektuar mbi të shkuarën dhe

kërcënimin nga konflikti bërthamor në të ardhmen, që tërheq qindra vizitorë vendas e të huaj.

SHKARKO APP