Tiranës i shtohet një tjetër murale nga Ilirjana Basha dhe ”Fem Fest”, Veliaj: Tregon zemrën e qytetit tonë
Nga sot këpucët e kuqe, bashkë me vargjet e poetes së jashtëzakonshme amerikane Maja Angelou, janë simboli më i ri i kryeqytetit. Në këtë 8 Mars, muralja “Gjurma Jonë”, pranë Librit Universitar, vjen si sinonim i pavarësisë, emancipimit, i karakterit të fortë dhe triumfit të gruas. Në prezantimin e saj i pranishëm ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadorja e Suedise në vendin tonë, Elsa Håstad. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky 8 mars vjen në Tiranë edhe si një ditë reflektimi.
“Më vjen mirë që treguam për herë të parë permes teatrit, ekspozitave, bisedave, marshimeve, instalacioneve e muraleve se jemi më shumë se sa një komunitet, i cili thjesht feston një ditë feste, por jemi mbi të gjitha një komunitet që reflekton në një ditë të rëndësishme që nisi si ditë proteste, jo si ditë feste”, tha ai. Veliaj nënvizoi se edhe përmes muraleve, Tirana bën diferencën edhe me qytete të tjera të rajonit.
“Para pak ditesh u takova me nje gazetar qe vinte nga një kryeqytet tjetër i rëndësishëm i Ballkanit. Me pyeti ku dallon qyteti ku isha me Tiranën? I thashë më thuaj çfarë muralesh pe tek qyteti nga po vjen e më pas më thuaj se çfarë sheh në Tiranë? E mendoi dhe filloi të qeshte. ‘Muralet që pashë ishin kryesisht të Mlladiçit dhe Putinit’, tha. Ndërsa, muralet në Tiranë ishin të feminizmit, të aktivizmit, të komunitetit LGBT, të ambientalistëve, të aktivistëve”, u shpreh kreu i Bashkisë.
“Një qytet që bën garë kush bën më shumë murale të Mlladiçit dhe Putinit, kriminelëve të luftës, dhe një qytet që bën garë për të gjetur hapësira publike, që të tregojë mentalitetin e tij – kjo eshte diferenca, ajo çka na dallon nga ai qyteti tjetër. Kjo murale bëhet pjesë e këtij koleksioni që tregon zemrën e qytetit tonë, një qytet jo perfekt, një qytet që ka ende shumë punë për të bërë, por një qytet që është me mendje të hapur”, tha ai.
Veliaj theksoi se edhe vendimi për emërtimin e rrugës ku ndodhet ambasada e Ukrainës me emrin “Ukraina e Lirë”, është një tjetër simbolikë që flet shumë për qytetin.
“Mund të kishte njerëz që thonë: Emërtimi i një rruge si rruga “Liria e Ukrainës” është vetëm një gjest simbolik, por njerëzit me simbolika flasin. Disa luftojnë fizikisht, por ne të tjerëve që s’na bie të luftojmë fizikisht, do të duhet të luftojmë me gjeste, me simbolika, me mënyra se si organizohemi, si japim një ndihmë. Në këtë qytet, ne nuk bëjmë garë të vëmë udhëheqësit nëpër mure apo diktatorët, apo kriminelët e luftës. Ne në këtë qytet bëjmë garë kush emancipon nëpërmjet çdo aparence publike të qytetit tonë”.
Ambasadorja suedeze Elsa Håstad u shpreh se murale të tilla të fuqishme tregojnë lidershipin e këtij qyteti dhe kurajon për të bërë gjëra të guximshme.
“Unë kam qenë duke marshuar në rrugët e Tiranës sot, unë i dua rrugët tuaja. Dhe dua të them faleminderit Erion, Ilirjanën, Ambasadoren Kim, për faktin që jemi këtu, por edhe për faktin që ndërsa kemi mundësi të shikojmë këtë murale të mrekullueshme pas meje, sepse kjo tregon lidershipin e këtij qyteti dhe ju nuk keni frikë të bëni gjëra të guximshme dhe të luftoni për ata që kanë nevojën të mbështeten. Unë do jem përgjithnjë e frymëzuar nga shqiptarët e fortë dhe guximtarë, faleminderit Shqipëria dhe faleminderit Tirana”, tha Elsa Håstad.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim siguroi se SHBA është krenare që qëndron krah për krah me Shqipërinë. “Shqipëria ka luajtur një rol përherë e më tepër në hapjen e shtigjeve, sepse Shqipëria është një nga ato vende të cilat janë një hapëse shtegu, një pionere në krahasim me ne, në shumë çështje. Ne në SHBA jemi duke festuar mundësinë e të pasurit të zv/Presidenten e parë grua në SHBA, që është hera e parë në historinë thuajse 300-vjeçare të SHBA-ve. Ndërkohë, kabineti qeverisës i Shqipërisë përbëhet nga 70% gra dhe përsa i përket Bashkisë së Tiranës, 3 nga 5 nënkryetaret janë gra. Faleminderit gjithashtu, që na keni treguar se çdo të thotë të jesh europian dhe ne të përpiqemi të përmirësohemi”, tha ambasadorja Kim.
Muralja “Gjurma Jonë” është pjesë e “Femfest” që erdhi si një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, këngë, muzikë, ekspozitë, sfilata dhe me një protestë simbolike përmes këpucësh të kuqe.