Tirja një ”skemë zhvatjeje”, prokuroria zgjeron hetimin
Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar rrethin e hetimit të rastit të Tire Alldervishit, sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Sanitarja dyshohet se duke u hequr si infermiere mori 8 milionë lekë të vjetër nga familjarja e një pacienteje me Covid-19, në këmbim të shërbimit mjekësor.
Për të provuar dyshimet se 58-vjeçarja nuk ka vepruar e vetme, por si pjesë e një skeme “zhvatjeje”, grupi i hetimit ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të spitalit. Përmes kqyrjes së tyre do të vërehen lëvizjet e sanitares në ditët kur ajo ka marrë shuma parash nga familjarja e pacientes, si dhe personat që ajo ka komunikuar apo kontaktuar.
Prokurorët pritet të nisin marrjen e deklarimeve nga mjekë dhe infermierë, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ngriti dyshime se sanitarja e ”Shefqet Ndroqit” nuk vepronte e vetme, pasi në komunikimet e saj me denoncuesen, porosiste blerjen e medikamenteve jashtë spitalit edhe pse nuk kishte arsimin apo njohuritë përkatëse.