Titaniku i politikës shqiptare!
Nga: Alban Daci
Disa mendimtarë të mëdhenj e kanë përkufizuar termin e politikës në logjikën e pushtetit (Lasswell: politika si “ kush përfiton diçka, kur dhe si”); (Weber: politika si “përdorimi monopolist i detyrimit të legjitimuar”); (Makiaveli: “të qeverisësh do të thotë të bësh të besosh”); (De Gasperi: “politikë do të thotë realizim”).
Politika është zgjidhja e konflikteve mes njerëzve; është procesi që shoqëria përcakton në mënyrë autoritare lidhjen e burimeve dhe vlerave; është proçesi që merren vendimet ose modifikohen programet politike dhe strategjitë e aksionit; është ushtrimi i pushtetit dhe influencës.
Për politikën, metafora më shumë e frekuentuar kanë qenë “qeveria e anijes”. Një anije mbi të gjitha është e përbërë nga një kolektivitet (të punësuarit), që duke lundruar gjithmonë së bashku, ndodhen në një far mase të izoluar nga pjesa tjetër e botës (identiteti i veçantë i tyre), por që kanë fatin e përbashkët të lundruesit.
Ky kolektivitet që të udhëtoj drejt destinacionit të dëshiruar ka nevojë të drejtohet nga një timon. Nga kjo rrjedh që lundruesit duhet edhe të organizohen, sipas ndarjes së detyrave (kush bën dhe çfarë) dhe sipas një nivelit hierarkik të autoritetit (kush mban timonin ka nevojë për më shumë pushtet se sa të tjerët).
Gjithashtu, është pothuajse e paevitueshme që mes lundruesve të lind ndonjë diferencë vlerësimi, afro gjysma e lundrimit dhe zgjedhja e rrugës ose afro organizimit të detyrave që duhet të kryhen mbi anije ose afro mijëra gjëra të tjera pak a shumë të rëndësishme për fatin e anijes (formimi i grupeve konkurrues, lindja e ndonjë konflikti mes të njëjtëve, kompozimi i konflikteve të njëjta).
Siç e shikojmë metafora e politikës si “qeverisja e anijes” përmban një pjesë të madhe të aspekteve që janë thelbësore për të ilustruar edhe elementet kryesor të politikës. Kolektiviteti ashtu si edhe pulisi (“qyteti” i grekëve), timoni si pushtet për/mbi kolektivitetin, bashkëprania e konfliktit dhe bashkëpunimit, bashkëprania e komandimit dhe konsensusit, ekzistenca e vetë principit sovranitet (rrjedh nga fakti që mbi përcaktimin e trajektores së anijes askush nuk mund të ketë më shumë pushtet se ai që kontrollon timonin).
Në rrjedhën e kohës metafora politike e anijes ka takuar një përdorim shumë të frekuentuar, duke filluar pikërisht nga mendimtarët e mëdhenj grek dhe romak; (Platoni: “anija e çmendurive”, ku ekuipazhi kalon kohën në një pavdekësi alternimi kacafytjesh dhe zdërhalljes, pa arritur asnjëherë të jap një timonier me të vërtet ekspert të kohës, stinëve, të qiellit, të yjeve, të erës dhe të gjithçkaje që varet për të ndjekur anija trajektoren e dëshiruar); (Ciceroni: “ unë që kisha qeverisur anijen e shtetit në mesin e detit me mot të keq dhe e kisha sjellë shëndosh në port”).
Qeveria, na paraqitet si një bashkësi vendimesh që janë përvetësuar në përcaktimin e drejtpërdrejtë të anëtarëve në veçanti, por që kolektivizohen, përderisa janë të kërkuar nga një pushtet i përbashkët. Qeveria e polisit si: një përdorim i përbashkët dhe i kolektivizuar i ndonjë timoni që drejton anijen kolektive në tërësi.
Në historinë e njeriut politika ka qenë përfaqësuar edhe nga shumë metafora të tjera. Në veçanti janë, ajo e shtetit si një familje, ajo e shoqërisë si një “trup njerëzor”, ajo e kalit si simbol i pushtetit dhe i popullit që duhet drejtuar.
Elementi i parë i çdo forme qeverie është qartësisht e përfaqësuar nga koncepti i autoritetit, në kuptimin e tij origjinal “ nuk besoj se pikërisht një është i madh, kur ai më bën të ndjehem i vogël” citonte një shkrimtar francez i shtatëqindtës.
Autoritet do të thotë të jesh i zoti që t’i bësh të qeverisurit të pranojnë pushtetin. A mund të jetë forca dhe dhuna faktor që mund të bëjnë të mundur diçka të tillë, për ti bindur të qeverisurit të pranojnë pushtetin? Talleyrand citon se me bajoneta mund të bëhet gjithçka, përjashtuar faktin që nuk mund të ulesh sipër tyre. Ndërsa Hannah Arendt thekson se: “dhuna për nga natyra instrumentale; si të gjithë mjetet, ka gjithmonë nevojë për një orientim dhe justifikim, për arritur qëllimin… pushteti nuk ka nevojë për justifikim, ajo për çfarë ka nevojë është legjitimiteti.
Element tjetër i rëndësishëm është përfaqësuar nga “urdhri” që duhet të karakterizoj vetë vendimet kolektive. “L’imperium” nga latinët na kujton se qeveria për të qenë e tillë, nuk duhet të flasë … kot, por duhet ta dëgjojnë dhe t’i binden. Vendimet kolektive që ajo ndërmerr duhet të prodhojnë efekte reale për kolektivitetin që herë pas herë janë të interesuar.
Elementi më i rëndësishëm që karakterizon dimensionin politik është ndërtuar nga principi i sovranitetit. Jean Bodin, filozof francez, në pesëqindtën teorizon i pari kuptimin teknik të fjalës që e përcakton si ekspresion cum summa potestate gubernatio; sot mund të themi, kapaciteti i qeverisjes pa ju përgjigjur asnjë fuqie superiore. Lasswell dhe Kaplan e përcaktojnë sovranitetin si “niveli më i lartë i autoritetit”.
Nga këto që pohuam deri tani, politika kuptohet si bashkësi aktivitetesh që janë të rëndësishme për të “qeverisur një qytet” dhe prezantohet nga gjashtë element thelbësor: ekzistenca e një grupi me persona (polis), brenda të cilit disa vendime rrjedhin nga anëtarë të veçantë të grupit të kërkuar në formën e “pushtetit kolektiv” (vendime kolektive); ekzistenca e marrëdhënieve mes atyre që qeverisin dhe atyre që janë të qeverisur që karakterizohen nga një raport i “independencës së pranuar” (autoritet) drejt të qeverisurve, mbi bazën e ndonjë principi dhe të ndonjë procesi legjitim; fakti që këto vendime të tipit kolektiv janë , në radhë të parë, të mbushura me sovranitet dhe, në radhë të dytë, konkretisht të vendosura nga qeverisësit.
Këtë parantezë në karakterin e përgjithshëm teorik që shpjegon konceptin e politikës, e bëra për të analizuar aktualisht “anijen shqiptare”. Në çfarë gjendje ndodhet ajo tani? Çfarë orientimi do të ketë në të ardhmen? A do të arrij të ankorohet në breg shëndosh e mirë sipas orientimit të dëshiruar?
Anijen e politikës shqiptare do e quaj “Titaniku shqiptar”, sepse ajo po lundron tamam si “Titaniku” i vërtetë, në ujerat e ftohta dhe në natën pa hënë.
Titaniku shqiptar është i përbërë nga një kolektivitet, ku me të vërtetë të gjithë kanë fatin e përbashkët të lundruesit, por që janë të izoluar nga pjesa tjetër e realitetit, sepse nuk njohin asnjë realitet tjetër përveç të tyrin.
Timoni i Titanikut shqiptar është në duart e personave që janë mospërfillës ndaj kolektivitetit, sepse nuk pranojnë as gabime dhe as këshilla, duke e çuar anijen drejtë ajsbergëve të mëdhenj dhe të rrezikshëm që mund të rrezikojnë edhe fundosjen e saj. Pra, mund të themi, se këto lloj timonierësh nuk janë ekspertë të qiellit, të yjeve, të erës dhe të gjithçkaje që nevojitet për të ndjekur trajektoren e drejtë dhe të dëshiruar. Këta timonierë që kanë në dorë fatin e vetë Titanikut shqiptar, nuk janë në gjendje të premtojmë se: do të sfidojmë të gjitha stuhitë bashkë me kohën e keqe për të arritur shëndoshë në breg.
Autoriteti i këtyre timonierëve shqiptar siç kemi mësuar nga historia ka ardhur me bajoneta, por që deri më sot asnjëri nga ata nuk është ulur sipër tyre. Këta timonierë e kanë ushtruar pushtetin, përmes dhunës së justifikuar, duke premtuar demokracinë e ëndërruar ndër vite. Ato legjitimitetin e pushtetit e kanë bërë përmes forcës legale të fshehur në petkun e egoizmit personal të sëmurë me virusin e pavdekësisë dhe madhështisë universale.
Urdhrat e tyre kolektivi i ka pranuar dhe ju është bindur, sepse kanë qenë të instrumentalizuara me mashtrimin e shpresës dhe ushtrimit të forcës së pushtetit në mënyrë të ekzagjeruar. Këta urdhra kanë pasur edhe efekte reale mbi kolektivitetin, por nuk kanë pasur si finalitet nevojat dhe problemet e kolektivitetit, që është instrumentalizuar nga timonierët, për të ruajtur të pa prekshëm vendet e tyre të drejtimit, për të kënaqur egot personale edhe pse ndoshta kanë qenë totalisht në kundërshtim me interesin e përbashkët.Këto vendime të interesit personal që ekzekutohen mbi kolektivitetin, i cili nuk ka të drejtë as konsultuese, janë të natyrës sovrane, por jo në shërbim të sovranitet.
Nëse analizojmë se si është i ndarë kolektiviteti i anijes që ndodhet poshtë sallës drejtuese? Ajo është e ndarë në tre shtresa shoqërore që korrespondojnë përkatësisht në tre katet e anije.
Fill poshtë kupolës drejtuese janë personat e mirinformuar për politikën, që e përdorin atë për të pasur privilegje. Kjo kategori është e pakët në numër, por që zotëron ambientet më luksoze të anijes dhe në dorë ka forcën e parasë. Ato janë sponsor të personave që pranojnë kontratat e tyre për të realizuar egot e tyre personale, pa pasur ideale pozitive për kolektivitetin.
Interesimi i tyre për politikën është i lidhur me interesat e tyre të karakterit individual dhe lidhja e tyre me politikën funksionon për aq kohë, sa sponsorizimet e tyre janë të domosdoshme dhe të respektueshme.
Ndërsa një kat më poshtë janë njerëzit e thjeshtë që janë “viktima” të politikave të gabuara, që në një mënyrë apo tjetër politikën e pranojnë si de fakto, por nuk kanë në dorë asnjë instrument influence në vendimmarrjet e karakterit kolektiv. Pothuajse të gjithë personat kësaj kategorie shprehen se nuk janë të interesuar për politikën dhe se nuk merren me politikë. Atëherë lind pyetja a është e shmangshme politika? Thomas Mann, thekson se: “nuk është e vërtetë, kur sot njeriu deklaron se nuk merrem me politikë. Deklarata e tij duket më shumë si egoiste, e huaja nga bota, por edhe si një auto gënjeshtër. Një deklaratë e tillë rivlerëson një injorancë jo shumë intelektuale se sa morale. Sot poshtë çdo forme politike prezantohet problemi i vetë njeriut”.
Aristoteli citon se “ njerëzit vendosin të ecin së bashku në pamje të ndonjë avantazhi të veçantë dhe në qëllimin e prokurimit të ndonjë objekti për vetë ekzistencën”; dhe shoqata politike është krijuar përmes një procesi të kësaj natyre, “në emër të avantazheve personale që ajo sjellë.
Politika nuk është gjë tjetër veçse shkëmbimi i komplikuar mes njerëzve, përmes të cilës njerëzit kërkojnë të marrim në nivel kolektiv, kënaqësinë e tyre personale. Për këto arsye politika nuk është dhe nuk duhet të jetë e evitueshme.
Në katin e fundit ndodhin personat që kanë në dorën peshën me të rëndësishme të anijes, mekanizmat e motorit që ve në lëvizje të gjithë anijen, por që realisht nuk kanë asnjë të drejtë pronësie mbi anijen që ato e mbajnë me duart e tyre në gjendje të mirë lundruese.
Gjendja aktuale e Titanikut shqiptar nuk është aspak e mirë, sepse kemi krisje dhe çarja të madhe ndërmjet kateve që ndërtojnë strukturën e kësaj anije. Për këtë arsye në të ardhmen do të kemi një lëvizje të madhe që mund të karakterizohet nga dhuna dhe urrejtja dhe do të jetë e pozicionit vertikal nga poshtë lartë.
Pra, nëse kupola drejtuese do të vazhdoj të veproj në shërbim të pakicës duke shfrytëzuar kolektivin, pa marrë parasysh aspak dëshirat dhe nevojat e tyre. Atëherë pjesa tjetër që përbën shumicën në numër, por pakicën në kompetenca do të filloj të ndërgjegjësohet dhe do të kërkoj me forma demokratike të dëgjohet, të respektohet dhe të pyetet për vendimet e karakterit kolektiv nga kupola drejtuese. Nëse edhe pas këtij sensibilizimi paqësor, kupola do të vazhdoj të mos e përfill përsëri kolektivin. Atëherë kolektivi do i drejtohet dhunës si justifikim për të legjitimuar të drejtën.
Me pak fjalë nëse gjerat do të vazhdojnë të jenë ashtu siç janë dhe nëse nuk do të jetë një alternim i aprovuar nga poshtë për lartë, jo shumë larg në kohë mund të kemi lëvizje kaotike dhe me pasoja për të gjithë anijen, që mund të sjellin timonierë të rinj që do të lundrojnë së bashku me kolektivin drejtë trajektoreve të dëshiruara. Përndryshe Titaniku shqiptarë do të vazhdoj të lundroj në natën pa hënë, ku papritur do të përplasej me ndonjë ajsberg të madh, që do i shkaktonte një çarje të thellë dhe të fortë, përmes së cilës do të vërshonin sasi të pafundme uji derisa ajo do fillonte të fundosej dhe të gllabërohej nga thellësia oqeanike.