Todi: Kundër çdo lloj diktature dhe diktatori
(Botuar me 4 Dhjetor 1994 në KOHA JONE)
Nga Todi Lubonja-
Ka ca gjëra që vërtet nuk bëhen me urdhër të peshkut. Të tilla janë edhe ato që mund të merren si shembull kur trajtojmë raste të vlerësimit apo të rivlerësimit të personaliteteve të cilët edhe po të duash t’i evitosh, detyrohesh t’i cilësosh. Në të gjitha rastet mund të thuhet se ka gjykime objektive ose subjektive. Por çështja është a ka apo nuk ka mundësi që të arrihet në një vlerësim absolutisht të drejtë? Po, ka! Hunda e Kleopatrës dallohet nga hunda e një çifuti. Tjetër punë është ajo kur një njeri nuk do të pranojë dhe vazhdon të insistojë tek mendimet e tij. Më konkretisht fjalën e kemi për incidentin e mbledhjes së organizuar nga komisioni qendror i tryezës së rrumbullakët me rastin e kremtimit të jubileut të 50 vjetorit të çlirimit të Atdheut më 29 Nëntor 1944. Le ta themi troç! Në atë mbledhje pati edhe persona që u ekzaltuan nga një provokacion i një nostalgjiku të Enverit. Veç, ka edhe nga ata që çështjen e përdorimit për të mirë të këtij emri e quajnë të përligjur. Mua një shok jo i pamençur më tha një ditë: “Epo komandant ka qenë!” Çështja në dukje e thjeshtë, nuk është e tillë. Meqenëse në të gjitha rastet sa herë bëhet fjalë për distancim ose jo të PS nga figura e E. Hoxhës kritikuesit direkt ose indirekt bëjnë aluzion për këtë parti, dua të shpreh mendimin se zoti Servet Pëllumbi, zv/kryetar i kësaj partie, në përshëndetjen e tij shprehu në atë mbledhje pa ekuivokë qëndrimin e kësaj partie e cila ka një mendim tashmë më të qartë rreth kësaj çështjeje.
Fjala e tij botuar në “Zërin e Popullit”nuk të lë mëdyshje. Personalisht do të mendoja se udhëheqja e kësaj partie, pa qenë nevoja që “ta kthejë partinë në një parti që merret vetëm me studime historike” ( apo diçka si kjo), kjo do të bënte një punë të lavdërueshme nëse do të studionte dhe do të dilte me një rezolutë e cila të kishte në qendër analizën e luftës dhe të figurës së E. Hoxhës dhe të konkludonte duke i dhënë përgjigje pyetjes: si ka sunduar E. Hoxha, si diktator apo si demokrat?! Në këtë mënyrë ajo do të kontribuonte në radhë të parë në edukimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Sidomos rreth kuptimit të drejtë të rolit të masave dhe të personaliteteve në zhvillimin historik dhe lidhur me këtë do të ndihmonte që të kuptohet thellë influenca negative e kultit të individit dhe e miteve në parti, shtet, në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Mendoj se kjo nuk ka pse të konsiderohet si një çështje që pret apo si një çështje që nuk lidhet me aktualitetin dhe aq më pak të justifikohet me këtë. Të gjithë qahen, kritikojnë e thonë se në këtë rast apo atë rast, kjo apo ajo parti, apo personalitet, shpreh një mentalitet monist apo enverist. Por, a ka analiza rreth rënieve gnoseologjike të enverizmit nëse mund të shprehemi kështu? Jo, nuk ka. Këtë mendoj se i përket ta bëjë jo vetëm PS por edhe partitë e tjera politike. Nuk më duket se kur shajmë Enverin dhe enverizmin kemi dhënë ndonjë kontribut konstruktiv për luftën kundër mendimit, stilit, metodave etj. të atij sundimi të gjatë që nuk është pa vulë e pa emër. Frazat e sloganet e përgjithshme që përdoren në agjitacionin banal të “luftës kundër komunizmit”nuk prekin dhe aq më pak, nuk konsumojnë problemin për të cilin bëhet fjalë. Nuk besoj të ketë nga ata veteranë që të pranojnë se kanë luftuar si mercenarë të Enverit. Ata që morën pushkët dhe dolën malit partizan për liri, kanë qenë pjesa më e lartësuar dhe më e ndërgjegjshme e këtij vendi. Por duhet të pranojmë se ka dhe do të ketë akoma edhe për një kohë relativisht të gjatë njerëz, veteranë ose jo, të cilët ruajnë ndjenja dashurie deri në admirim për Enverin. Të tillë që admirojnë Stalinin, p.sh. në ish Bashkimin Sovjetik, Hitlerin në Gjermani apo Musolinin në Itali, të cilët evokojnë fashizmin. Nga këta ka dhe do të ketë edhe për ca kohë. Madje në televizion ata i shohim të parakalojnë me fotografitë e idhujve të tyre. Për fat të mirë kjo nuk ndodh tamam ashtu tek ne, por nuk do të thotë që opinioni publik të mos dënojë çdo shfaqje dhe të mos ushtrojë influencën edukative në të gjithë rastet. Mund të them se karakteristikë e partive socialiste në të gjithë vendet është qëndrimi i prerë kundër çdo lloj diktature dhe diktatori. Mendoj se duke respektuar diversitetin e mendimeve rreth kësaj çështjeje, çdo lloj edukimi antidiktatorial do të përshëndetej nga populli jonë. Do ta quaja fatlum rastin nëse, shfaqje të tilla si ajo që përmendëm do të ishte e rastit dhe tepër e izoluar. Por domethënia e saj është e spikatur dhe çdo përpjekje për ta minimizuar apo kaluar në heshtje do të ishte sa e dëmshme aq dhe e dënueshme.
Me sinqeritet shpreh mendimin se PS që është një parti e fuqishme që përfaqëson traditat më të mira të së majtës në Shqipëri dhe është e ndërtuar mbi baza dhe parime të socializmit demokratik modern evropian, në procesin e veprimtarisë së saj në dobi të popullit dhe të demokracisë, (siç e pamë të shprehet në triumfin e jo-së në referendumin për projektin e kushtetutës, fushatë në të cilën ajo ishte lokomotiva e vërtetë) nuk ka, dhe nga karakteri dhe natyra e saj nuk mund të ketë, asgjë të përbashkët me asnjë ide të vjetër apo të re të diktaturës dhe diktatorëve.
(Todi Lubonja, veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare)