Toka do të goditet. “Nuk është çështje nëse ndodh, por kur do të ndodhë”

Atmosfera e Tokës bombardohet vazhdimisht nga trupa të vegjël qiellorë, që sapo fërkohen me ajrin digjen dhe në rastin më të keq shkaktojnë pak dëme në tokë, si në rastin e meteorit që ra në rajonin rus Chelyabinsk, më 15 shkurt të 2013.

Por mundësitë që planeti ynë të goditet nga një asteroid gjigant, sado të vogla qofshin, nuk mund të mos merren në konsideratë.

Vetë agjencia amerikane e hapësirës nuk ka dhënë alarmin që një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, por kjo nuk do të thotë që njerëzimi të mos jetë i përgatitur. Pikërisht në këtë kuadër, në Los Anxheles, NASA dhe mekanizmi i menaxhimit të emergjencave civile, FEMA nisën një stërvitje të përbashkët.

Synimi ishte përgatitja e strukturave të emergjencës për të zhvendosur 18 milionë civilë nga zona e rrezikut që do të goditej më 20 shtator të 2020 nga një asteroid me diametër 240 metra. Sigurisht, zhvendosja e banorëve në zonat  e sigurta nuk ndodhi realisht dhe për shumë banorë të Los Anxhelesit stërvitja as u vu re, shkruan tch.

Zyrtarët e NASA-s dhe të FEMA-s thanë se objektivi ishte koordinimi i gjithë strukturave të sigurisë në një rast hipotetik ekstrem. NASA është e sigurtë se herët apo vonë, Toka do të goditet. “Nuk është çështje nëse ndodh, por kur do të ndodhë”, thotë Thomas Zrubuchen, nga Drejtoria e Misioneve Shkencore të Agjencisë Amerikane të Hapësirës.(Express)

SHKARKO APP