Tom Doshi sfidon ambasadoren amerikane: Jam kryetar i PSD, do të garoj në 4 qarqe

Edi Rama dhe Tom Doshi në fushatën e vitit 2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi regjistrimin e PSD-së si parti garuese më 25 prill, por me kryetar Engjëll Bejtja dhe jo Tom Doshin.

Në një reagim për mediat, Tom Doshi shprehet se  në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë ai kryetari i Partisë Social Demokrate në listat zgjedhore. Doshi thotë se vendimi që PSD të regjistrohet në KQZ me emrin e Engjëll Bejtja është marrë nga kjo parti për të mos rrezikuar afatet e regjistrimit në zgjedhje.

“Kryetar i PSD-së jam unë. Në një mbledhje të strukturave të partisë është votuar që të jem unë kryetar, më kanë votuar vetë anëtarët. Por që vendimi në fjalë të marrë formë të prerë edhe në gjykatë, duhet pritur data 19 shkurt. PSD-ja për të mos shkelur afatin e regjistrimit në zgjedhje, vendosi t’i drejtohej KQZ-së me emrin e kryetarit Engjëll Bejtja, por që gjithçka do të ndryshojë pas datës 19 shkurt. Emri im do të jetë në listat zgjedhore dhe do të garoj në katër qarqe,”- është shprehur Doshi për “News 24”.

Kandidimi i Tom Doshit u kundërshtua nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila kërkoi nga KQZ dhe kryeministri Edi Rama respektimin e ligjit të dekriminalizimit. Pas kundërshtimeve të para për këtë kandidim, Yuri Kim deklaroi se kishte marrë garanci nga Edi Rama që Tom Doshi nuk do të jetë pjesë e qeverisë!

Por realisht deputeti Tom Doshi sfidoi ambasadoren amerikane e cila u tërhoq me kujdes nga deklaratat e saj kundër tij.

SHKARKO APP