Tom Doshi paditet në prokurori, për fshehjen e 23 mln eurove

ILDKPI dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin e larguar nga PS-ja, Tom Doshi, i cili tashmë akuzohet edhe për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Bëhet fjalë për një shumë, që sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, shkon deri në 23 milion euro. Shkeljet, sipas ILDKP-së, janë kryer nga viti 2005 deri në vitin 2014.

“Nga kontrolli për këtë periudhë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro”- thuhet në deklaratën e ILKDPI-së.

ILDKPI ka qenë ndër vite në dijeni të këtyre shumave, por asnjëherë nuk i ka bërë publike.

“ILDKPKI bën me dije se deputeti Doshi është kontrolluar nga 2005 deri 2013 disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara Inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, duke mos i dërguar dosjet në organin e Prokurorisë, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë”- shtohet në njoftim.

Inspektoriati ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kërkon që hetimet paraprake të kryera prej tij të shtrihen më tej “për të zbuluar nëse ka shkelje të tjera”.

Pas arrestimit mbi deklarimet e rrema që pretendoi prokuroria mbi atentatin që deputeti Tom Doshi tha se i ishte kurdisur atij, ai i lirua pas gati një muaji ku qëndoi në arrest shtëpie, dhe aktualiosht i është vendosur masa “detyrim paraqitjeje” prej Gjykatës së Lartë.

Por, Tom Doshit tashmë i duhet të përballet edhe me një tjetër akuzë, për fshehjen e pasurisë.

SHKARKO APP