Tortura për të parë një ndeshje të Kombëtares

 

Të shikosh një ndeshje të Kombëtares në Elbasan për një tifoz nga Tirana po bëhet gjithmonë e më e vështirë.

Kush ka qenë dje në Elbasan Arena e di për çfarë po flasim, të tjerët as që mund ta marrim me mend pa e parë me sytë e tyre.

Për shkak të shiut që binte dhe masave të sigurisë, turma të mëdha njerëzish kanë pritur me orë të tëra përpara disa skelave të inprovizuara si hyrje në oborrin e stadiumit.

Situata ka qenë jo pak e rrezikshme pasi turma ushtronte shtypje të fortë në rreshtat e parë të ngjeshur përballë hekurave të skelave, ndërkohë që policia pas tyre lejonte hyrjen vetëm një për një.

Shumë njerëz kanë hyrë në stadium të lagur deri në palcë dhe kanë qëndruar ashtu deri në fund të ndeshjes në pritje të mrekullisë që nuk ndodhi.

Kontrollet kanë qenë të shumëfishta, disa deri në zhveshje thuajse totale të teshave në mes të shiut kur kishte dyshime.

Nuk kanë munguar të famshmet konfrontime fizike me policët e nervozuar që krijojnë vazhdimisht tension në këto situata.

“Mos më shty, nuk ke të drejtë të më prekësh me duar – ishin fjalët që dëgjoje më shpesh nga njerëzit që veç shtypjes nga turma pas duhet të llogaritnin edhe veprimet nervoze të policisë.

Sheshi u mbush me monedha që nuk dihet kush i mori dhe i mblodhi më pas.

Të gjitha lekët e holla që gjendeshin në portofola dhe xhepe ishe i detyruar t’i hidhje në tokë në oborrin e jashtëm dhe dyert e stadiumit, duke krijuar në mes të pellgjeve disa “fontana di trevi” vërtet mbresëlënëse.

Parkimi është një histori më vete. Paguan 3 deri në 5 mijë lekë të vjetra për të parkuar në ndonjë oborr shtëpie ose dyqani të improvizuar ku pasi kthehesh nga ndeshja e gjen makinën të rrethuar nga dhjetra të tjera në një kaos të cilit nuk i del njeri për zot.

Kurse kthimi nga Elbasani në Tiranë është një torturë e vërtetë. Trafiku bllokohet që në rrugët në dalje të stadiumit dhe vazhdon i tillë deri në dalje të Elbasanit për t’u rikthyer më pas në hyrje të tunelit.

Ata që kanë patur mundësinë të kalonin dje nga tuneli falë ndonjë njohjeje, kanë mbërritur në Tiranë rreth orës 2 të mëngjesit, të tjerët (që i kanë rënë nga Durrësi sipas udhëzimeve të policisë) edhe më vonë. / Dita

SHKARKO APP