“Tradhtia shlyhet me vdekje” – Si u gjet me fytin e prerë me thikë e reja shqiptare në Angli
35 vjeçarja shqiptare Safie Xheta u gjet pa jetë në kuzhinën e shtëpisë së saj, në Oksford të Mbretërisë së Bashkuar. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë, ndërsa gruaja u gjet me fytin e prerë nga një thikë kuzhine. Autor i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë i shoqi.
Sipas raportit mjeko-ligjor aq e thellë ishte prerja në qafën e saj, saqë thuajse ishte shkëputur nga trupi. Pranë saj u gjet një letër, e cila mund të jetë shkruar edhe nga viktima, në të cilën shkruhej në shqip: “tradhëtia shlyhet vetëm me vdekje”.
Megjithatë, 46-vjeçari Fatos Xheta e mohon vazhdimisht se ka gisht në vdekjen e bashkëshortes së tij. Pavarësisht dëshmisë së tij, ai mbetet i dyshuari kryesor pasi, sipas miqëve të çiftit, e ka dhunuar më parë atë.
Disa muaj para se të gjendej e vdekur, Safia i kishte treguar miqve të saj se bashkëshorti e kishte rrahur aq shumë saqë i kishte krijuar të nxira në fytyrë dhe i kishte thyer telefonin.
Sipas mikeshës së saj, Dorela Rehovës, gruaja kishte përjetuar dhunë pasi bashkëshorti i kishte gjetur mesazhe me miq nga Italia.
Ajo shtoi se kohët e fundit, Fatosi ishte bërë “kontrollues” dhe “i dyshimtë” dhe mendonte se gruaja e tij e tradhëtonte.
Çifti ishte martuar me shkuesi në Shqipëri dhe disa muaj pas martesës kishin shkuar të jetonin në Itali. Më pas ata ishin zhvendosur në Angli. /Faxweb.al