“Trafikantët u paguajnë drejtuesve të policisë 40 euro për çdo rrënjë”

Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka zbuluar një sërë të dhënash të pabëra më parë publike në lidhje me operacionet anti-kanabis të policisë dhe kultivimit të bimëve narkotike në vend. Në studion e Opinion në Neës24, Hoxha tha se policia po punon mirë, por se nuk po goditet kokat e trafikut të marijuanës.

Ai tha se në zonën e Dukagjinit këtë herë po përdoret taktikë tjetër për zbulimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, çka ka sjellë edhe rezultate pozitive.

“Operacioni në zonën e Dukagjinit ka hyrë në ditën e katërt. Rezultatet pozitive, sasi e madhe është korrur. Mbi 35 mijë rrënjë. 480 forca FNSH, RENEA, të Shkodrës në mbështetje.

Këtë radhë u ndoq taktikë tjetër. Hyrja në zonë më parë është bërë gjatë orëve të mesditës, kësaj here u kapën pikat strategjike. Në mënyrë që kur të hynte policia të mos kishte kohë për reagim. Ndërhyrja është bërë sapo ka zbardhur dita, ka nisur operacioni. Forcat snajperiste me helikopter. I janë krijuar mundësitë policisë që të mos vihet nën zjarrin e atyre personave. Të gjithë trupat që janë në operacion nuk kthehen në shtëpi por flenë në mal”, tha Hoxha.

Sipas tij, shtrirja e kultivimit të kanabisit në çdo rreth të vendit edhe aty ku nuk është mbjellë më parë tregon se goditja e Lazaratit ishte goditje e sipërfaqes dhe jo e kokave të narko-trafikut. Hoxha tha se i gjithë territori i vendit është kthyer në një hambar për kultivimin e bimëve narkotike.

“Shtrirja e bimës narkotike uniformë në të gjithë vendin. Sasia e madhe e lëndëve narkotike në të gjithë territorin, tregon se trafikantët e vërtetë nuk u goditën në Lazarat, u godit vetëm sipërfaqja. Duke mos u goditur kokat kryesore në Lazarat dhe duke e ditur që ata që e kontrollonin Lazaratin. Nuk ishin lazaratasit, por persona të tjerë, ata kanë krijuar sot këtë situatë”, tha ai.

Autori i emisionin “Xhungël” ka zbuluar detaje edhe për operacionin e policisë në Kavajë, ku u asgjësuan 6500 bimë narkotike si dhe 12 thasë me lëndë të thatë. Ai tha se ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe se në vendin ku është gjetur lënda narkotike janë gjetur pajisje dhe infrastrukturë e posaçme.

“Kanabisi në të gjithë vendin duke filluar që nga qarku i Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, etj. Çudia më e madhe në qarkun e Tiranës. Çudia më e madhe ajo që ka ndodhur mbrëmë natën në Kavajë. Në një patrullim është qëlluar me armë. Policia është larguar dhe ka raportuar. Është hartuar një plan masash. FNSH-të nga Tirana kanë shkuar në mëngjes dhe pasi kanë ecur 40 minuta më këmbë kanë gjetur 6500 rrënjë kanabis të mbjellë, më shumë se 2 ha. E gjithë zona ruhej me vend roje. Po ashtu janë gjetur edhe dy tenda të mëdha, një për procesin e tharjes dhe një kur qëndronin personat. Aty janë gjetur pije freskuese, frigoriferë, gjeneratorë silenciatorë. Një infrastrukturë e tyre. Është e cuditshme kur qarku i Tiranës është krehur 3 herë më parë. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që mesa duket lufta ndaj narkotikëve edhe këtë vit nuk ka për t’ia arritur qëllimit nëse nuk goditen trafikantët e mëdhenj. Policia dhe prokuroria të tentojë të hyjë brenda radhëve të organizatorëve dhe të tentojë të ndëshkojë të gjithë policët, drejtuesit që janë të implikuar. Është e pamundur që në qarkun e Tiranës dhe Durrësit të mbillen sasi kaq të mëdha pa patur garanci”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, kanabisi nuk mbillet nga fermerë dhe fshatarë të thjeshtë pasi tashmë kultivohet edhe në zona ku nuk ka ujë dhe i krijohet infrastruktura e nevojshme, çka kërkon shpenzime dhe një kosto relativisht të lartë. Duke u ndalur tek kostoja, Hoxha tha se këtu hyn edhe pagesa që trafikantët u bëjnë drejtuesve të policisë, duke treguar se për një rrënjë të mbjellë paguhet 40 euro.

“Kanabisi mbillet edhe në zona ku nuk ka ujë, pasi krijohet infrastruktura me mjetet e duhura, gjeneratorë. Në veri policia ka gjetur me kilometra të tërë tubacione. Nuk janë mbjellë nga fermerë e fshatarë por nga grupe kriminale që kanë financuar për kultivimin e këtyre bimëve, që kanë shpenzuar para dhe madje kanë korruptuar edhe drejtues të policisë. Për një rrënjë të mbjellë trafikantët paguajnë drejtuesit e policisë 40 euro. Duke parë në këtë tërësi, trafikantët kanë mbjellë sipërfaqe që ato i quajnë të humbura, domethënë i falen policisë. Qeveria pretendon që 70-80 % të sasisë e ka korrur sikur edhe 10% të shpëtojë justifikon gjithë koston e mbjelljes dhe u krijon mundësinë për të mbajtur linjën e trafikut ndërkombëtar”, deklaroi Hoxha.

Në lidhje me uljen e sasisë së kanabisit që del nga Shqipëria drejt tregut ndërkombëtar të narkotikëve, Hoxha tha se kjo vjen pasi ende nuk është korrur bima e re.

“Në 24 orët e fundit janë raportuar 2 raste të kanabisit të ardhur nga Shqipëria. Kanabisi i ri ende nuk është korrur. Rasti i Kavajës, u gjetën 12 thasë me kanabis të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e produktit është shitur. Produkti vjen në fundin e gushtit, në shtator dhe rezultati duket në tetor, nëntor. Duke patur parasysh këtë situatë ndaj nuk kemi patur raste nga vendet partnere të kapjeve. Për të asgjësuar një parcelë duhet një ditë e tërë për një skuadër policie. Çdo ditë raportohen sasi të kapura por jo autorë, kjo do të thotë se këta autorë do të jenë prezentë sërish vitin tjetër”, tha ai.

(BalkanWeb)

SHKARKO APP