Trafikoi 19.4 kg kanabis me valixhe nga Tajlanda, në pranga i riu në Rinas
Rreth 400 mijë euro do të kushtonte nëse do të hidhej në treg, kanabisi që një 39-vjeçar nga Tepelena, tentoi të kalojë përmes aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, teksa erdhi me avion trazit nga Tajlanda.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i tentativës për futje të lëndës narkotike me përqindje të lartë të lartë THC.
Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij procedimi proaktiv, finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Sh.,39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë.
39-vjeçari që udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri, kishte me vete një valixhe me 19 kg e 400 g lëndë narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

