Trafiku i mbetjeve toksike, Berisha: Fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij
Sali Berisha thiotë se çështja e anijes me mbetje toksike është krim i madh, rrezik i madh, kërcënim i madh. ”Nuk ka sot qytetar më të pasigurtë dhe të kërcënuar se shqiptarët. Krimi i fundit është një krim që mund të ndodhë vetëm në narkoshtete, apo në shoqëri parashtetërore. Nuk ndodh kurrë në një shtet me respekt minimal ndaj ligjit, çfarë do që të jetë ai. Trafiku i mbetjeve toksike është fytyra e vërtetë e Edi Ramës, dhe qeverisë së tij”, tha Berisha gjatë fjalës së mbajtur nga ballkoni i banesës.
“Ajo që ka ndodhur me këto mbetje dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale për çdo qytetar shqiptar në këtë vend. Dëshmon kërcënimin e madh, të jetës dhe shëndetit të çdo qytetari nga kreu i narkoshtetit Edi Rama, dhe suita e tij. Pas dy javë zhurme kombëtare dhe botërore, për mijëra ton mbetje toksike që u nisën nga Durrësi për në Tajlandë, rezulton se Edi Rama me heshtjen e tij ka faktuar të gjitha akuzat që janë bërë këtu, në media shqiptare dhe ndërkombëtare, se prapa aferës qëndron qeveria shqiptare, qëndron Edi Rama.
A ka akt falsifikimi më të madh, a ka akt kërcënimi më të madh për qytetarët shqiptarë, rrezikimin më të madh të jetës dhe shtetit të tyre, se sa institucionet zyrtare të ndryshojnë kode dhe të vendosin kodet e lëndëve jo toksike në ngarkesat e lëndëve toksike. Kjo do të thotë të vendosësh etiketën e sheqerit, të orizit, aty ku është helmi, ku janë toksinat dhe krim më makabër se ky nuk mund të bëhet. Kjo praktikë e padëgjuar ndonjëherë, kjo praktikë u zbatua në rastin e kontenierëve të cilëve ju ndryshua kodi. Nga lëndë toksike që përmbanin, në lëndë jo toksike dhe këtë e bëri institucioni shtetëror doganë”, shtoi kreu demokrat.