Tragjedi në Itali/ Po çonte fëmijën në shkollë, 42-vjeçarja shqiptare përplaset për vdekje nga kamioni
Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e së premtes komunitetin në San Donà di Piave, pranë Venecias, ku një 42-vjeçare shqiptare humbi jetën në një aksident rrugor.
Viktima, Lavdije Isteri nga Durrësi, nënë e tre fëmijëve, u përplas nga një kamion i mbledhjes së mbetjeve teksa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë. Aksidenti ndodhi pak para orës 08:00, në kryqëzimin e rrugëve Passarella dhe Paolo VI.
Sipas mediave italiane, kamioni po kryente një manovër për t’u kthyer djathtas drejt një rruge dytësore, kur goditi 42-vjeçaren. Përplasja ishte fatale dhe gruaja ndërroi jetë në vendngjarje.
Momenti tragjik ndodhi në prani të vajzës së saj. Fatmirësisht, e mitura kishte kaluar disa metra përpara nënës dhe nuk u përfshi në aksident.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, por për gruan nuk mund të bëhej më asgjë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe në shkollën “Marco Polo”. Ndërkohë, policia lokale ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e aksidentit. Shoferi i kamionit ndodhet në gjendje shoku.

KOHA JONË SONDAZH

