Tragjedia në Gramsh: viktimat s’dinin not dhe janë futur për t’u larë në liqen
Shefi i Zjarrfikëses në Gramsh ka treguar detaje tragjike nga mbytja e 4 personave dje në liqenin e Hidrocentralit të Banjës.
Ai tha për mediat se pasi personi i parë ka hyrë për t’u larë dhe ka rrezikuar të mbytej, kanë shkuar të gjithë me radhë dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Ilir Llapushi tha se në liqen ka gropa që janë hapur në kohën kur u ndërtua HEC-i, ndërsa për ata që nuk dinë not është shumë e vështirë për të dalë.
“Ngjarja është e rëndë. Babai me dy djemtë e vet kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari dhe kanë shkuar me radhë të shpëtojnë njëri-tjetrin, dhe djali i ri. Asnjë prej tyre nuk ka ditur not. Ka pasur disa gropa që janë bërë gjatë kohës kur u bë Hec-i i Banjës. Ato gropa kur futesh menjëherë të zhysin dhe ata kur janë larë, kanë përfunduar në këto gropa dhe duke mos ditur not kanë mbytur njëri-tjetrin. Liqeni është i thellë, i gjithë. Dihet që nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ne si shërbim zjarrfikëse kemi qenë këtu dhe dje. Sot nuk erdhëm, qëlloi shumë keq që nuk ishim. Nuk ka nevojë për roje, këtu nuk lahet njeri tjetër. Këtu janë larë, por nuk lahet njeri. Një njeri që nuk di not, nuk duhet të futet për t’u larë, absolutisht jo”, tha ai.
Pas 90 minutash kërkime, katër viktimat; Arben Zogu 46 vjeç dhe dy djemtë e tij, Ruben dhe Esti Zogu dhe nipi, Melsi Zogu, 20 vjeç, u nxorën të pajetë nga liqeni me ndihmën e palombarëve.
Tragjedia e familjes Zogu ka tronditur jo vetëm Gramshin, por gjithë vendin. Një baba me dy djemtë e tij adoleshentë dhe nipin janë mbytur në liqenin eHEC-it të Banjës pasditen e së premtes. Trupat e tyre u nxorën në mbrëmje nga polumbarët. Ata janë: Arben Zogu 46 vjeç me dy djemtë e tij, Rubenin 19 vjeç dhe Estin 14 vjeç si dhe nipin e Arbenit, Melsi Zogun, 20 vjeç,
Babai i këtij të fundit mundi të flasë dy fjalë për mediat në kulmin e hidhërimit:
“U detyrova që të merrja një makinë dhe erdha me vrap. U futa deri diku, por nuk gjeta gjë. Djalin kam. Ata ikën për t’u larë. Babai me dy fëmijët e tjerë janë kushërinjtë tanë. I kanë me motor e telefona këtu. U nisën në orën 3 dhe i morëm në orën 17:00 në telefon. Kanë ardhur këtu janë larë. Nuk dimë më gjë më tej.”, tha babai i 20-vjeçarit.