Transporti ajror, tregun shqiptar e dominojnë linjat low-cost
Rihapja e kufijve të BE-së dhe sezoni veror kanë rikthyer lëvizjet e shtetasve të huaj drejt Shqipërisë, si dhe të shqiptarëve që kryejnë vizita jashtë vendit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, 756 mijë pasagjerë kanë udhëtuar me anë të transportit ajror.
Pjesa e tregut që zë secila linjë ajrore ka pësuar ndryshime madhore. Dy kompani zënë sot mbi gjysmën e tregut, me Wizz Air që zë sot 35% të udhëtarëve, ndjekur nga Air Albania me 17%. Përpara pandemisë, dy linjat më të frekuentuara ishin Blue Panorama dhe Ernest Airlines, të dyja kompani që nuk operojnë më në Shqipëri.
Rihapja e kufijve të BE-së për shqiptarët solli fillimisht një rritje të menjëhershme të kërkesës e rrjedhimisht të çmimeve të biletave. Por tregu mbetet i orientuar nga low-cost-i, me linja të tilla që po shtojnë vazhdimisht numrin e destinacioneve.
Me interes pritet impakti që do të sjellë nisja e fluturimeve nga aeroporti i Kukësit, që krahas destinacioneve të reja, premton të ulë më tej çmimet.