Trazirat në Tiranë, reagon Rama: Nuk jap dorëheqjen

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht protestave të dhunshme të drejtuara nga studentët, të cilat kanë vijuar për të tretën ditë radhazi. Në një përgjigje me shkrim për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama theksoi se nuk do të lejojë që situata e tensionuar dhe aktet e dhunës të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një moment kur protestat vijojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë, ndërsa integrimi evropian mbetet një nga objektivat kryesore politike të vendit.

Shkrimi i plotë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i tha Reuters të enjten se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme të udhëhequra nga studentët, të cilat hynë në ditën e tretë radhazi. Policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët thyen xhama dhe dëmtuan pronën në kryeqytet, duke bërë që Parlamenti të anulonte seancën e tij. Studentët, të cilët protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit, kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, tha Rama në përgjigjet me shkrim për Reuters.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. Alternativa do të ishte tradhtia ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Rama tha se ishte i gatshëm të diskutonte rritjen e kostove të arsimit, por shtoi: ”Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë asgjë të përbashkët me kërkesat legjitime të studentëve”.

Protestat përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar. Trazirat vijnë pas disa muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë. Projekti mbështetet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe është përballur me sfida ligjore.

“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë”, tha Rama. “Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, shtoi ai. Së bashku me Malin e Zi, Shqipëria aktualisht kryeson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit dhe synon të anëtarësohet që në vitin 2028.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?