Tre ditë në kërkim të punonjësit të sigurisë, Arjan Sala ende nuk gjendet. Nga magazina vijon të dalë tym
Sot bëhet dita e tretë e kërkimit të 33-vjeçarit, Arjan Sala roje pranë qendrës tregtare “Casa Italia”, i cili u zhduk nën flakët që përfshinë një magazinë në katin -1.
Ndërkohë që zjarri është fikur, nga magazina vijon të dalë tym dhe gaze helmuese për shkak të materialeve që mbaheshin atje.
Si pasojë trupi i tij ende nuk është gjetur, ndërkohë që punonjësit e ekipit të kërkim shpëtimit kanë çarë edhe soletën e subjektit me shpresë gjetjen e tij.
Një nga punonjësit e ekipit të shpëtimit të inxhinierëve të minierave ka thënë dje se gjendja është shumë e rëndë dhe tymi dhe gazrat e çliruara e bëjnë të pamundur gjetjen e trupit.
“Gjendja është e rëndë , në ato punime , gjendja e ajrimit është e dobët, 250 herë më e madhe se norma, punonjësit janë heronj, i shprehin ngushëllimet familjarëve për viktimën e dyshuar, nuk kemi ç’të bëjmë më tepër, do punojmë për këtë avari, se është shumë e rëndë, tymi është i madh e pamundur të kontrollojmë për viktimën, magazina është shumë e madhe.
Është shumë e vështirë, deri dje dhe sot jemi këtu, të bëjmë të pamundur, por sasia e gazit që del është 250 herë me madhe, rrisku është pas qafe, rrisku i vdekjes”, tha ai.