Tre shkencëtarë fituan së bashku Nobelin e këtij viti në fizikë
Francezi Alain Aspect, amerikani John F. Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger janë fituesit e Nobelit në fizikë. Akademia Suedeze e Shkencave i vlerësoi ata për “studimet pioniere në fushën e informacionit kuantik”.
Çmimi Nobel i këtij viti në Fizikë shkon për fizikanin francez Alain Aspect, fizikanin eksperimental amerikan John Clauser dhe fizikanin kuantik austriak Anton Zeilinger. Ata u nderuan për kërkimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike, siç njoftoi Akademia Suedeze e Shkencave të martën në Stokholm. Ata kanë arritur njohuri novatore me eksperimentet e tyre me grimca që bashkohen me njëra-tjetrën edhe pse nuk kanë qenë kurrë me njëra-tjetrën.
Rezultatet e punës së tyre hapën rrugën për teknologji të reja të bazuara në informacionin kuantik, argumentoi Akademia. “Parashikimet e tyre kanë tronditur themelet e mënyrës së interpretimit të matjeve”.
“Ndërsa fizikanët shpesh trajtojnë probleme që në shikim të parë duken të jenë shumë larg shqetësimeve të përditshme – grimcat e vogla dhe misteret e gjera të hapësirës dhe kohës – studimet e tyre ofrojnë bazat për shumë aplikime të shkencës në praktikë, si për shembull në fushën e kriptimit ose teleportimit”, u bë e ditur nga Akademia. Zeilinger, i cili ishte i lidhur me telefon me gazetarët në Stockholm, tha se bëhet fjalë jo për teleportim njerëzish, si në filmat e tipit Star Treck, por për teleportimin e të dhënave.
Vitin e kaluar, çmimi i Nobelit në Fizikë iu dha tre shkencëtarëve – Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi – puna e të cilëve kishte ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, duke zgjeruar kështu të kuptuarit tonë për ndryshimin e klimës.
Mjekësi: Nobeli i dytë brenda familjes
Të hënën, Akademia e Nobelit në Stokholm shpalli fituesin e çmimit Nobel në mjekësi: shkencëtarin suedez Svante Paabo. Ai u nderua për zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit. Hulumtimet e tij kanë sjellë njohuri të rëndësishme për të kuptuar sistemin tonë imunitar, argumentoi juria.
Pääbo edhe më parë ishte nderuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 atij i ishte dhënë çmimi gjerman Leibniz, një nga çmimet më të njohura të shkencës në botë. 67-vjeçari ishte në Leipzig të Gjermanisë kur mësoi për nderimin e tij më të fundit.
Pääbo nuk është nobelisti i parë në familjen e tij. Edhe i ati, Sune Bergström, e ka marrë çmimin për të njëjtën kategori, në vitin 1982. Bergström u nderua së bashku me dy të tjerë për “zbulime në lidhje me prostaglandinës dhe substanca aktive biologjikisht të afërta”.
Vitin e kaluar çmimin Nobel në Mjekësi e morën dy shkencëtarë të biologjisë molekulare: Julius dhe Patapoutia.
Java e Çmimeve
Java e parë e tetorit është gjithnjë jave shpalljeve të fituesve të çmimit Nobel. Të mërkurën pritet të shpërndahet çmimi nobel për kimi dhe të enjten për letërsi. Çmimi Nobel i Paqes 2022 shpallet të premten, ndërsa çmimi i ekonomisë më 10 tetor. Paratë vijnë nga trashëgimia e lënë nga krijuesi i çmimit, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1895.
Medalja e Çmimit Nobel për Letërsi
Çmimet Nobel kanë vlerë prej 10 milionë korona suedeze (rreth 900,000 dollarë) dhe akordohen më 10 dhjetor. Festa e sivjetshme do të mbledhë edhe nobelistët e viteve 2020 dhe 2021, për të cilët nuk pati ceremoni për shkak të pandemisë së koronavirusit.