Tre shtete bëhen “bashkë” për kapjen e gomones me drogë, 5 orë ndjekje në det
Policia thotë zyrtarisht se trafikantët janë duke eksperimentuar por pa sukses rrugë alternative për shkak të vështirësisë së hasur në ujërat shqiptare ku operojnë forcat e policisë së kufirit dhe të Guardia di Finanza të Nuklit të Kufirit Detar të Durrësit dhe Vlorës.
Informacionet kalojnë në kohë reale nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi duke krijuar një rrjetë të pakalueshme për trafikantët.
Ndjekja e gjatë prej pothuaj 5 orësh, bëri të mundur bllokimin e gomones së fuqisë së lartë me tre motorë.
Dy trafikantët u ndaluan në det të hapur nga Guardia di Finanza e Termolit dhe Barit të drejtuar nga avioni i Frontex.
Forcat e policisë së kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë dhe policia e kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri -Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë nga ku edhe ka filluar ndjekja.
Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën duke e bërë më të vështirë ndjekjen.
Tashmë trafikantët dhe gomonia janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane.
Vijon rikuperimi i lëndës narkotike, ku ende nuk dihet pesha, pasi për shkak të errësirës është vështirë rikuperimi në det i lëndës narkotike. Për shkak të sekretit hetimor rezervohen të jepen detaje.

