Tre vrasësit në listën e më të kërkuarve. Policia po i kërkon në “qiell e tokë” (FOTO)

Policia e Shtetit publikon foto dhe detaje të tre personave të radhës nga lista e 50 personave më të kërkuarve në Shqipëri. Tre personat janë dënuar për vrasje të ndodhura nga viti 1997 deri në vitin 2000. Gentian (Eugen) Sula, është dënuar nga gjykata me 25 vite burg për vrasje me paramendim. Besnik Lamçja, është i dënuar gjithashtu për vrasje me 25 vite, e i njëjti ”fat” duket se është edhe për Kujtim Qorden.

Prej dy javësh, policia e Shtetit ka nisur të ripublikojë emrat dhe fotografitë e 50 personave më të kërkuar nga autoritetet shqiptare. Të dënuar për vrasje, rrëmbim, rrahje, grabitje me dhunë, e armëmbajtje pa leje, janë subjektet e Njësisë së Kërkimit që është vënë pas këtyre të dënuarve.

Shqipëria së fundi ka krijuar një njësi speciale e cila do të merret vetëm me ndalimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo njësi tashmë i është bashkuar rrjetit ENFAST, e cila është ombrella e njësive speciale të disa vendeve europiane. Aktualisht është përgatitur një listë me 50 persona që janë në kërkim.

Përfshija e speciale në rrjetin ENFAST, i jep vendin tonë mundësinë e bashkëpunimit më njësitë e vendeve ku Shqipëria nuk ka akses. Specialët e policisë, do të funksionojnë në bazë të dy komponentëve; asaj të inteligjencës që punon në zyra të cilët grumbullojnë dhe shkëmbejnë informacione me vendet partnere si dhe komponenti operativ.

Gentian (Eugen) Sula

Në datën 19 mars 1997, në lagjen nr. 5, Korçë, shtetasi Gentian (Eugen) Sula, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri, në banesën e tij, shtetasin B. F. dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka gjetur vdekjen edhe bashkëpunëtori i Gentianit, shtetasi D. B. Gentian (Eugen) Sula është dënuar nga Gjykata e Apelit Korçë, me 25 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Besnik Lamçja

Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Besnik Lamçja, në bashkëpunim me shtetasin E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U. Besnik Lamçja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me armë”.

Kujtim Qordja

Në datën 17 janar 1999, në vendin e quajtur “Ura e Babrroit”, shtetasi Kujtim Qordja ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. U. (H). Kujtim Qordja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

SHKARKO APP