Tregjedia e çiftit shqiptar në Gjermani, askush nuk mban përgjegjësi

Një 23-vjeçare shqiptare ka humbur tragjikisht jetën dhe i fejuari i saj nga Elbasani ka mbetur i plagosur rëndë në një aksident që ka ndodhur pasditen e djeshme në Frankfurt të Gjermanisë;

Vajza që u shua është Ela Haziraj, 23-vjeçe, e cila ishte regjistruar tre muaj më parë në një kamp azilantësh në Frankfurt, bashkë me të fejuarin e saj, Saimir Gjokpali, të dy nga qyteti i Elbasanit.
Ngjarja, sikurse raporton Frankfurfter Neue Presse, ndodhi në orën 16.00 të së mërkurës në Neustadt/Marburg të Frankfurtit.

Çifti bashkë me një shoqe dhome të kampit të azilantëve aplikues, ishin duke pritur trenin në stacionin e zonës. Në një moment, treni i mallrave që ishte duke kaluar, ka përfshirë disa udhëtarë që prisnin në afërsi të stacionit, duke i dëmtuar rëndë.

Si pasojë e këtij aksidenti gjeti vdekjen e menjëhershme 23-vjeçarja Ela Haziraj dhe u plagos rëndë i fejuari i saj. Autoritetet thanë se trupi i të ndjerës u dërgua në morgun e spitalit lokal.

“Nga hetimet tona rezulton se kemi të bëjmë me një aksident hekurudhor”, tha një zyrtar lokal, duke folur me Frankfurter Neue Presse.
Azilkërkuesit që gjenden në zonën ku ndodhi ngjarja, bënë të ditur se vajza ndodhet në morg dhe se askush deri tani nuk ka marrë përgjegjësi për aksidentin.

Ata gjithashtu shprehen të trishtuar për faktin që mediat kryesore gjermane nuk e raportuan këtë tragjedi.

Mësohet se çifti Ela Haziraj dhe Saimir Gjokpali kishin aplikuar për azil dhe kishin marr përgjigje negative pasi kishin rreth tre muaj që qëndronin në kamp në Gjermani.

Autoritete i kishin njoftuar se do t’i kthenin sërish në Shqipëri dhe ata gjendeshin në pritje të kryerjes së riatdhesimit. Azilantët pohojnë se janë duke jetuar në kushte aspak normale.

“Ne jemi në kushte çnjerëzore këtu. Na vënë në një dhomë dy ose tre familje. Po na trajtojnë si kafshë”, ­ shprehet A.D., një e re shqiptare e cila ka shkuar në Gjermani për një jetë më të mirë. E reja shpreh dhimbjen edhe për humbjen e Ela Hazirajt. “Erdhi për një jetë më të mirë, por e shtypi treni i mallrave”, ­ thotë me dhimbje ajo

SHKARKO APP